Një 56-vjeçar është kërcënuar nga një person duke gjetur një letër në xhamin e makinës së tij, e cila ishte shkruar me shkrim dore. Burime pranë policisë bënë me dije se shtetasi me iniciale R.H., banues në Tiranë ka gjetur në mjetin e tij, që e kishte parkuar në Kamzë një letër ku i ishin shkruar disa fjalë për të birin.
“Djali juaj nuk duhet të shkojë më në punë”, ishte teksti i letrës. Menjëherë pas kësaj, 56-vjeçari është paraqitur në komisariatin e policisë numër 5 dhe ka denoncuar rastin, duke pohuar se ndihej i kërcënuar nga kjo gjë. Burimet e sipërpërmendura thanë dje për “GSH” se djali i tij punon shofer në një kopsht. Në letër, kërcënuesi nuk kishte shkruar asnjë arsye. Ndërsa policia nisi hetimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkaq, përveç pronarit të mjetit ku u gjet letra, policia mori në pyetje edhe djalin e tij. Ky i fundit ka pohuar se nuk ka konflikte me ndonjë person dhe nuk dyshonte tek askush që mund ta ketë shkruar atë letër. Gjithashtu, ai ka treguar para oficerëve të policisë se nuk ka pasur konflikte as në punë apo me ndonjë prej prindërve të fëmijëve në kopshtin ku është i punësuar si shofer.
Edhe 56-vjeçari ka rrëfyer se nuk është në dijeni të ndonjë konflikti që mund të ketë i biri. Fillimisht, policia po e hetonte rastin në fjalë si ndonjë ngjarje të inskenuar nga vetë këta persona, por më pas u bë edhe identifikimi i autorit të dyshuar. Burimet e lartpërmendura thanë më tej se në sajë të hetimeve dhe të të dhënave të marra në rrugë operative, policia e ka identifikuar atë.
Sipas tyre, dyshohet se letra mund të jetë shkruar nga një person me iniciale P.Gj., i cili tashmë është shpallur në kërkim dhe po punohet për gjetjen e tij. Në sajë të dëshmisë së këtij personi, pritet që policia të zbardhë edhe ngjarjen në fjalë, ndërkohë që vijon hetimet për dokumentimin e plotë të saj./a.m.