Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të enjte projektin për krijimin e një tjetër federate sportive, me qëllim, siç ka thënë ai, rilindjen e sportit.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë me dije se bëhet fjalë për Federatën e Sportit Shkollor, për t’i dhënë sportit në shkollë një shtëpi që administron lëvizjen sportive në bazë.
“Kjo federatë është një strukturë e domosdoshme për të koordinuar të gjitha sforcot tona, sforcot e qeverisë, të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të Universitetit të Sportit, të të gjithë klubeve sportive dhe padyshim të të gjithë mësuesve e drejtorive arsimore, të zyrave arsimore, për të ngritur lëvizjen sportive në rang republike”, ka thënë Rama.
Ambicia jonë – ka shtuar ai – është që shkollat tona të krijojnë skuadrat e tyre të basketbollit, volejbollit dhe të disiplinave të tjera dhe të kenë kampionate të rregullta.
“Një lëvizje e domosdoshme për Shqipërinë, duke patur parasysh edhe faktin e mirënjohur botërisht që çdo euro e investuar në sport sot është e barabartë me 3 të kursyera për shëndetësinë apo për rendin publik nesër”, ka thënë Rama./tch/a.k