Regjistrimet në universitete u mbyllën më datë 1 nëntor 2016, duke lënë të paplotësuara rreth 3 mijë kuota. Më problematiku sa i përket nivelit të regjistrimeve ka qenë Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër, pasi në këtë universitet rezultojnë disa degë me vetëm 3 apo 7 studentë të regjistruar, duke rrezikuar që të mbyllen, pasi nuk kanë numrin minimal të studentëve për të qëndruar të hapura.
Në këtë universitet nga 1040 kuota pranimi, janë regjistruar vetëm 402 studentë, ndërkohë që vijon të ketë të lira 638 kuota. Kështu, në Universitetin “Eqerem Çabej” janë regjistruar më pak se 40% e kuotave të pranimit, përkatësisht janë regjistruar 38.65% e studentëve.
Ky nivel i regjistrimeve vë në pikëpyetje ekzistencën e këtij universiteti. Në degën Ekonomi Turizmi janë regjistruar vetëm 3 kandidatë, nga 50 kuota që janë në total; në degën Matematikë-Fizikë nga 60 kuota janë regjistruar vetëm 7 studentë; në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe janë regjistruar vetëm 14 studentë nga 65 kuota pranimi, po ashtu edhe në degën Fizikë dhe Teknologji Informacioni janë 14 studentë të regjistruar nga 60 kuota pranimi.
Me sa duket, ky proces dhe këto kritere të reja pranimi nuk dogjën vetëm studentët, por edhe universitetet. I pyetur për këtë situatë, rektori i Universitetit “Eqerem Çabej”, Bektash Mema në një intervistë për “Gazeta shqiptare” ka folur në lidhje me procesin e regjistrimeve në këtë universitet dhe se janë në total 4 programe studimi, të cilat rrezikojnë të mbyllen, pasi nuk kanë numrin minimal prej 10 studentësh që të qëndrojnë të hapura.
Zoti Mema, si është situata e regjistrimeve në universitetin e Gjirokastrës?
Nëse do bëjmë krahasim me regjistrimet e studentëve vitin shkuar, niveli i regjistrimeve nuk ka diferencë të madhe me regjistrimet e këtij vitit akademik në ciklin e parë të studimeve. Diferenca këtë vit, e cila është e dukshme, është shpërndarja e studentëve. Në vitet e mëparshme ka pasur një proporcion në shpërndarjen e tyre, ndërkohë që këtë vit shikohet se janë disa degë që kanë marrë numrin më të madh të të regjistruarve, duke ulur ndjeshëm regjistrimet në disa degë të tjera. Ka pasur një preferencë më të lartë në degët e Ekonomikut, Infermieria apo Histori-Gjeografia.
A ka degë që rrezikojnë të mbyllen pasi kanë një numër minimal studentësh të regjistruar? “Gazeta shqiptare” ka evidentuar dy degë me 3 dhe 7 studentë, si dhe programe me 14 studentë të regjistruar.
Faktikisht janë 4 programe studimi, të cilat nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për të qëndruar të hapura.
Sa është numri minimal i studentëve që duhen të jenë të regjistruar? Numri minimal i miratuar nga qeveria është 10 studentë.
Cilat janë 4 programet e studimit që nuk e plotësojnë këtë numër studentësh?
Janë dy programet që keni përmendur edhe ju në gazetë, Ekonomi Turizmi, Matematikë-Fizikë si dhe dy programe të tjera, Gjuhë-Letërsi Italiane si dhe Histori e Gjuhë Italiane.
Do mbyllen këto programe? Po me studentët që janë regjistruar, çfarë do të bëhet?
Nivelin e ulët të regjistrimeve ne vumë re që në fillim, por duke qenë se regjistrimet vijuan deri në datë 1 nëntor, ne pritëm se mos plotësohej numri minimal. Tani që ky numër nuk është plotësuar, do t’i dërgojmë shkresë Ministrisë së Arsimit dhe do t’i kërkojmë që studentët e regjistruar në këto degë të transferohen në programe të ngjashme dhe normalisht që këto degë do të mbyllën.
Zoti Mema, veç këtyre degëve që përmendët që janë në prag mbylljeje, a ka rrezik për mbylljen e të gjithë Universitetit “Eqerem Çabej”?
Universiteti “Eqerem Çabej” ka një traditë të krijuar prej shumë vitesh, normalisht ne jemi një universitet i vogël dhe plotësojmë nevojat e rajonit dhe të disa rretheve konkrete, si Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë, Përmet, Delvinë apo Mallakastër. Kemi edhe studentë, nga Skrapari, Berati dhe shumë rrallë nga Kukësi. Synimi ynë nuk është zgjerimi, por mbulimi i nevojave të rajonit tonë normalisht, duke rritur çdo ditë e më shumë cilësinë. Nuk ka asnjë rrezik të mbyllet universiteti, regjistrimet në tri vitet e fundit janë pothuajse në nivele të njëjta, një diferencë shumë të vogël në numër regjistrimi, e papërfillshme./BW/a.m.