Bazat e tartave mund të përgatiten një ditë më parë dhe t’i mbushni përpara se t’i shërbeni.
Përbërësit për bazën 6 copë afërsisht:
1 brumë brisè gati ose e përgatisim si më poshtë: 200g miell 90g gjalpë i butë 1 vezë kripë pak ujë sipas nevojës (nëse veza është e vogël)
Për mbushjen: 200g djathë Philadelphia + pak kripë 1 mollë jeshile + lëng limoni për fetat e mollës pak djathë Gorgonzola (ose Philadelphia), thërrime arrash, 2 lugë mjaltë
Përgatitja: Në një tas përziejmë miellin, kripën, gjalpin e prerë në kubikë dhe i punojmë me pirun derisa gjalpi të jetë përzier mirë me miellin. Shtojmë tani vezën dhe vetëm nëse shikoni që brumi nuk ju lidhet shtoni pak ujë. I përziejmë me dorë derisa të kemi një brumë homogjen. E mbështjellim brumin me letër plastike për kuzhinë dhe e lëmë të pushojë në frigorifer për 30 minuta. Pas kësaj kohe, brumin e punojmë pak me duar që të zbutet, e hapim me petës dhe veshim me të format për tarta të lyera më parë me gjalpë e miell. I shpojmë me pirun dhe i lëmë në frigorifer për 30 minuta të tjera. Më pas i pjekim për 15-20 minuta në furrën e ngrohur më parë me 180°. I lëmë të ftohen.
Në momentin që do t’i shërbejmë: Përziejmë me pirun djathin Philadelphia që të bëhet kremoz, e spërkasim me pak kripë dhe më pas mbushim tartat me të. Mollën e presim në feta shumë të holla, i lyejmë me pak lëng limoni që të mos nxihen dhe vendosim një fetë te çdo tartë, vendosim sipër mollës pak djathë Gorgonzola, disa thërrime arrash dhe i spërkasim sipër me pak mjaltë sipas dëshirës. I shërbejmë menjëherë.