Për të gjithë pensionistët, vitin e ardhshëm pensioni mesatar do të rritet në masën 3 për qind. Me buxhetin e vitit 2017, qeveria do të shpenzojë fondin prej 30 milionë dollarësh për rritjen e pensioneve të qytetit dhe fshatit.
Lajmi konfirmohet për gazetën “Panorama” nga burime zyrtare në Ministrinë e Financave. Përfitues do të jenë 635 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Rritja e pensioneve nuk parashikon ndryshim të ligjit, pasi llogaritjet janë kryer mbi bazën e shportës së posaçme të mallrave dhe shpenzimeve të pensionistëve.
RRITJA
Shtesa 3 për qind e pensioneve do të sjellë rritje të pensioneve të qytetit, nga 443 lekë deri në 773 lekë. Për pensionet në fshat, rritja do të variojë nga 286 lekë deri në 367 lekë në muaj. Aktualisht, pensioni minimal në qytet është 14,785 lekë, me rritjen 3 për qind ai do të jetë 15,228 lekë.
Shtesa për pensionin minimal të pensionistëve të qytetit do të jetë 443 lekë. Pensioni maksimal i pleqërisë për qytetin është 25,770 lekë, me rritjen parashikohet të arrijë në masën 26,543 lekë. Shtesa për pensionin maksimal të pensionistit në qytet llogaritet 773 lekë në muaj. Nga rritja do të përfitojnë edhe pensionistët në fshat.
Aktualisht, pensioni minimal për këtë kategori është 9542 lekë dhe nga rritja do të jetë 9828 lekë në muaj. Shtesa llogaritet 286 lekë në muaj. Pensioni maksimal në fshat aktualisht është në masën 12,232 lekë, me rritjen 3 për qind arrin në masën 12,599 lekë në muaj. Rritja për këtë kategori pensioni do të jetë 367 lekë në muaj.
Kujtojmë që në muajin gusht pensionet për të gjitha kategoritë u indeksuan në masën 1,6 për qind.
FONDI
Rritja e pensioneve do të financohet me fonde të buxhetit, duke mos prekur nivelin e borxhit. Në draftin e ri të buxhetit, qeveria synon ulje të borxhit 1 për qind, duke ruajtur parametrat e shpenzimeve me të ardhurat.
Në total, fondi që do të shpenzohet për rritjen e pagave dhe pensioneve llogaritet 100 milionë dollarë. Fondi që do të përdoret për rritjen e pagave do të jetë 70 milionë dollarë.
Qeveria ka përcaktuar që rritja mesatare e pagës për arsimtarët të jetë 10 për qind dhe rritja për mjekët dhe infermierët të jetë 10 për qind. Pagat e punonjësve të administratës vitin e ardhshëm do të rriten 7 për qind, ndërsa rrogat e ulëta në shtet do të rriten 35 për qind.
Rritja më e lartë parashikohet për punonjësit e Policisë, në masën 17 për qind. Ndërsa nuk do të ketë ndryshim të rritjes të pagës së Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit./a.m.