Nga Ilva Tare
Edhe pse shqiptarët mbeten populli që reflekton një vullnet të palëkundur për anëtarësim në Bashkimin Europian, partitë politike në vend kanë qenë përcaktuese në vonesën e panatyrshme dhe ndoshta të qëllimshme të europianizimit të Shqipërisë. Përkundër hapave të shpejtë që kanë bërë vende të tjera të Ballkanit me një të kaluar problematike konfliktesh dhe ndarjesh etnike, Shqipëria ka mbetur bashkë me Bosnjen dhe Kosovën e fundit në grupin e vendeve që nuk kanë filluar ende negociatat.
Shkaqet që I kanë mbajtur shqiptarët në një marrëdhënie të ndryshme nga serbët, malazezët apo maqedonasit me BE janë të ndryshme dhe të debatueshme. Politikanët shqiptarë kanë akuzuar shpesh Brukselin se përdor dy standarde në vlerësimet e tij mbi kriteret dhe përmbueshmërinë e tyre. Por asnjëherë deri më sot asnjë formacion politik apo grupim intelektualësh nuk kanë artikuluar tezat e euroskeptikëve, të cilët janë kritikë dhe kundërshtarë të fortë të Bashkimit Europian.
Historikisht, burimi kryesor I fyrmëzimeve të Nigel Farage në Britaninë e Madhe apo ekstremistëve të tjerë të përfaqësuar në Parlamentin Europian në grupimin Europa e Lirisë dhe Demokracisë Direkte, ka qenë argumenti se integrimi dobëson shtetin-komb dhe se Bruskeli është I ngadaltë dhe shumë buroktratik.
Populizmi në rritje në disa prej vendeve thelemuese të Bashkimit Europian, Brexit dhe parti të ekstremit të djathtë që akuzojnë Brukselin se po përdor qytetarët europianë për interesat e ngushta të një grupi të vogël të elitës është një rrezik që merret seriozisht nga qarqet akademike dhe politikë në Europën e sotme.
Porse në Shqipëri, ekstremistë të tillë me teza të qarta anti-europiane nuk janë artikuluar ende publikisht dhe shpjegimi më I mundëshm është padobia për t’a thënë me fjalë atë që ata kanë bërë me vepra. Ligjërimi politik I partive kryesore në vend në këto dy dekada e gjysëm ka qenë integrimi europian, realizimi I ëndrrës për t’u bashkuar me Europën dhe standardet e saj.
Kjo ka qenë dukja dhe qëllimi shpallur. Ndërsa sjellja e qeverive ndaj shtetit ligjor, institucioneve të pavarura, votës së lirë, përfshirjes së qytetarëve në vendimmarje është tregues i anti europianizimit si filozofi dhe si shpëtim ndaj korrupsionit të pandëshkuar dhe abuzimit me pushtetin. Ndaj, në Shqipëri nuk ka euro-skeptikë por ka politikanë dhe parti që janë armiqësore me vlerat europiane dhe shtetin e së drejtës ku mbizotëron ndëshkueshmëria dhe një gjyqësor I barabartë për të gjithë.