Ngjarja e rëndë e ndodhur në Lushnje në fund të tetorit 1943, duket se reflekton në disa dokumente, letra e raporte të kësaj periudhe. Në raportet dhe letrat e këmbyera në këtë kohë mes Brigadës I Sulmuese dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, kjo ngjarje dhe të tjera para saj përshkruhen qartësisht.
Sot sjellim një tjetër dokument vënë në dispozicion nga historiania prof. Ana Lalaj, ku veç ngjarjes së Lushnjes raportohet një ngjarje tjetër e rëndë, ekzekutimi i 130 karabinierëve italianë, disa javë pas kapitullimit të Italisë fashiste, (në një kohë kur forcat italiane ishin dorëzuar e nuk ishin më pushtues). Në raportin e tyre Tuk Jakova dhe Mehmet Shehu thonë se pasi ishin këshilluar edhe me Bacën (Ramadan Çitakun) ai kishte pranuar propozimin e tyre për ti ekzekutuar dhe se pas kësaj i kishin ekzekutuar të gjithë “në mënyrën më konspirative”. Ata rendisin një varg “fajesh” që kishin bërë në të shkuarën këta karabinierë, duke justifikuar vendimin e tyre ekstrem.
Më poshtë e sjellim të plotë këtë dokument.
SHTABI I BRIGADËS SË I-rë
USHTËRIS NACIONAL-ÇLIRIMTARE
VDEKJE FASHIZMIT!
LIRI POPULLIT!
SHTABIT TË PËRGJITHSHËM T’USHTËRIS NACIONAL-ÇLIRIMTARE
Të dashur shokë,
Qysh kurse muarëm urdhërin t’uaj për të shkuar në jugë, bëmë pregatitjet dhe më datën 13/X u nisëm prej Priske e Fravëshi për Labinot.
Në Labinot na lajmëruan se në Orenj ndodheshin rreth 130 karabinierë italjanë dhe oficera të karabinieris (edhe kolonel, nën-kryetar i ShtatMadhoris karabinieris në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin t’onë për ekzekutimin e këtyre, tue qënë se këta kanë qënë përgjegjës për krime në Shqipëri dhe qenë kapur me luftë nga Bataljoni i Çermenikës kur kalojshin bashkë me gjermanët për Bullgari, në Qukës. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative.
Gjatë rrugës për Dumre u-bë punë politike dhe u forcuan pozitat t’ona.
Gjatë kësaj kohe, Bataljoni i IV i Brigadës, q’operonte në zonën e Dumres, bashkë me Bataljonin e Dumresë, goditën bandën e Xhaf Balit dhe e shpartalluan. Xhaf Bali iku me 3 vetë, një i u vra në luftim e të tjerët u dorëzuan. Bataljoni pushkatoi një kapter të Xhaf Balit ai dhe Emin Orizen, ish kapiten i Zogut, provokator dhe q’i qe kërcënuar forcavet t’ona. Të gjithë bashibuzukët e Xhafit dorëzuan armët që patën marrë prej fashizmit. U-krijua Këshilli Nacional-Çlirimtar në Belsh, si dhe çeta partizane-vullnetare, ndënjtëse. U bënë disa kofiskime.
Me ardhjen e Brigadës në Dumre, gjëndja u-stabilizua në favorin t’onë krejtësisht. U bënë konfiskime në pasurit e armiqvet të popullit, si Brahim Biçakut etj. Gjatë ndëjtjes s’onë në Dumre, bëmë disa punë politike në të gjithë Dumrenë: organizuam Komandën e Vendit dhe Këshillin krahinor. U arrestuan dhe u këshilluan (heqje vërejtjeje) disa personave që pengonin luftën t’onë. Forcat e brigadës kanë kaluar mbi të 26 katundet e Dumresë ku kanë bërë punë politike dhe organizative; ndërsa në të njëjtën kohë kemi kaluar edhe në të gjitha katundet e Darsis së Peqinit, ku kemi lënë vetëm gjurma politike, por jo organizative, për mungesë të kohës. Në Dumre pozitat t’ona janë përforcuar dhe populli ka fituar besimin e plotë në forcën e Ushtëris Nacional-Çlirimtare. Populli sheh n’Ushtërin t’onë mbrojtësen e vërtetë t’interesavet të tij.
Kemi bërë 3 aksione kundër gjermanve (shih komunikatat) dhe u shpartalluan 400 bashibuzukë t’Isa Manastirliut. Nga të 172 robrit e Isait, 63 u pushkatuan në katundin e Hamit Matjanit. Gjatë operacionit kundër Isa Manastirliut bashkëpunuam me bataljonet e Lushnjes. Aty kemi gjetur një konfuzion: janë 5 bataljone (575 vetë): një bataljon me zhgabë e pa hyll (as Komisari as N/Komisari s’kanë hyll!!); bataljonet e tjerë s’kanë komandë të përbashkët. Duhet krijuar një komandë e pëbashkët e të gjithë këtyre Bataljoneve, e cila doemos, të varet nga Shtabi i Zonës përkatëse.
Muarëm 12 vullnetarë të rinj nga Lushnja për Brigatë si dhe 6 nga robrit e Isait.
Në Labinot kemi lënë disa mitralozë, ma se 25 pushkë e disa automatike. Në Dumre i lamë Komandës së Vendit 3 mitraloza, 150 pushkë, disa mushka, drith (grur e misër), tagji, bagëti dhe 7 automatikë për Elbasanin. Në Lushje lamë 169 pushkë, 1 automatikë dhe 1 mitraloz.
Me ushqim kemi shkuar mirë. Gjëndja shëndetësore nuk është e mirë sepse shum të sëmurë nga ethet, jemi çveshur dhe ftohemi nga që flejmë jashtë. Nga armatimi jemi mirë vetëm na u konsumua municioni. U propozojmë që të ndërmjetësohet pranë inglizvet që të na hedhin për muajin e ardhëshëm (Nëndor) shum municion gjerman, italjan për pushkë dhe municion automatike dhe të topit 47/32, më ndonjë vënd në rrethet e Beratit, Mallakastrës ose Vlorës. Kjo ka rëndësi të madhe për neve sepse jemi pa municion, prandaj të bëhet ç’është e mundur për të na e plotësuar këtë nevojë. Vërtetë që kemi bërë aksione kundër gjermanvet porse municioni i gjermanvet ka qënë fare i kufizuar: nik kemi gjetur kurrë mëtepër se 20 fishekë për pushkë ndër ‘ta; zakonisht ata nuk mbajnë shum municion me vehte.
Brigada po shkon përpara: çdo ditë që kalon, më tepër shtohet shpirti luftarak e ofensiv. Jemi duke kaluar n’ofensivë. Partizanët po përforcohen politikisht e ushtarakisht me një rithmë shum të shpejtë. Është ngjallur në Brigadë shpirti ofensiv, aq sa bataljonet s’mund t’i lësh pa aksion për shum ditë, sepse mërziten. Dhe nga ana tjetër Shtabet e Bataljonevet, mbas masavet që muarëm, me ndryshimet q’u bënë, po shkojnë fare mirë përpara. Bataljoni i III-të po shkon përpara me hapa të shpejta, Shtabi i Bataljonit II-të ka gjetur harmonin e nevojëshme të brëndëshme q’i mungonte, Bataljoni i I-rë dhe i IV-të edhe ata shkojnë mirë. Bataljonit Gramsci i mungojnë kuadrot politike, porse ushtarakisht ka marë pjesë ndër aksione dhe shkon mirë. Baterit italijane nuk shkojnë keq, sado që kapiteni Kota, Komandant’i Bateris IX nuk sillet mirë sepse qet kurdoherë vështirësira në punë.
Brigada ka fituar një autoritet mjaft të math në popull dhe simpatija e popullit për ‘të është e pa-përshkrueshme: kur lëvis Brigata në një drejtim, krahinat që ndodhen përpara itinerarit të saj, pësojnë transformacione politike dhe shpirtërore të çuditëshme, për induksion të influencës dhe forcës së Brigadës, sikur kjo t’ishte një magnet i math e i fuqishëm. Mënyra, taktika që përdorim në manovrimin e forcatet t’ona (shpejtësija, shkathtësija, gjallërija, allegrija) bën që populli të jetë i bindur se forca jonë të jetë jo aq sa është porse 8 herë më tepër.
Nuk i ram dot Peqinit sepse atje qenë grumbulluar mjaftë forca armike dhe s’e pam t’arsyeshme të ndërmirnim marjen e Peqinit. Lushjes i bëmë tëgjitha pregatitjet porse disa orë para se t’i binim, ballistat q’ishin brënda bashkë me gjermanët, nxuarën Isa Manastirlinë me 400 vetë pas krahëve t’onë në Shegas për të na rënë po t’i binim Lushjes: puna u-dekonspirua sepse sado konspiracion të mbajsh, lëvizja e një bataljoni të Brigadës bënë buje në popull, i cili nga entusiazmi çfaq supozime që mund të koincidojnë me të vërtetën dhe përfundon në dekonspiracion.
Porse neve jemi duke kaluar në fazën ofensive t’onën dhe parashikojmë t’a godisim armikun më me rreptësi se sa e kemi goditur. Sidoqoftë me goditjet q’i kemi bërë fashizmit, Brigada është bërë tmerr për ‘të si edhe për tradhëtarët e popullit.
Të fala shoqnore
KOMISARI POLITIK
(TUK JAKOVA)
(firma)
KOMANDANTI I BRIGADËS:
(MEHMET SHEHU)
(firma)
29/X/43.