Për gjetjen e adresës së një qytetari apo një institucioni në Shqipëri, më të lehtë do e kesh nëse kërkon ndihmën e një shitësi picash apo elektriçisti, se sa një institucioni shtetëror. Shqipëria, është shumë vite prapa për sa i përket rregjistrimit të adresave të qytetarëve, në krahasim me vendet e Bashkimit Europian.
Për shkak të lëvizjes së madhe të popullsisë dhe largimit të njerëzve jashtë kufinjve shqiptarë, sot nuk dihet saktë vendodhja e adresës së këtyre personave. Kjo situatë ka sjellë mjaft probleme për shumë institucione shtetërore dhe private. Nisur nga kjo gjendje ministria e Punëve të Brendshme ka hapur procedurat tenderuese për ndërtimin e një ndërfaqe komunikimi ndërmjet Regjistrit Kombëtar të Gjëndjes Civile dhe Regjistrit Kombëtar të Adresave.
Nëpërmjet kësaj faqeje, që do kushtojë 910 milion lekë të reja (pa TVSH), ministria e Brendshme synon të rregjistrojë të gjitha adresat e qytetarëve në Shqipëri por dhe të emigrantëve, për të ditur vendodhjen e tyre, jashtë kufinjve të Shqipërisë. ”Shqiptarja.com” mëson se procedura tenderuese ka nisur në 17 tetor 2016 dhe mbyllet në 15 nëntor të këtij viti.
Një burim pranë ministrisë tha se deri në këtë kohë kanë shfaqur interes dhe kanë dhënë disa kompani oferta financiare për ngritjen e sistemit elektronik, që do të arrijë të komunikojë mes Regjistrit Kombëtar të Gjëndjes Civile dhe Regjistrit Kombëtar të Adresave.Gjithashtu tashmë ka nisur dhe procesi i rekrutikmit të 1200 personave që do shpërndahen në gjithë vendin për të ndërtuar adrrestarin e ri.
Adresat kërkojnë vetëm dollarë
Rezulton se në vitet 2006-2010 janë akorduar 57 milion dollarë fonde nga institucionet BE-OSBE-BB dhe 6.5 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, për të ndërtuar dhe futur në funksionim sistemin e adresave në Tiranë e në rrethe. Madje, janë bërë edhe përurime shtetërore të realizimit të adresarit dixhital e fizik me tabela emërtesash, zyra informacioni e guida orientuese në qendra publike, lidhur me gjetjen e adresave. Por në Shqipëri, adresat nuk gjenden lehtë.
Në këtë katrahurë adresash, ku nuk dihet nga të shkosh për të arritur në destinacion, përveç se nuk ka adresa, në 70 për qind të qendrave të banimit e shërbimit nuk ka as zyra adresash, për të marrë ndihmën e duhur. Kështu, jo vetëm të huajt, por dhe shqiptarët, madje edhe vetë postierët që kërkojnë të gjejnë adresa për të realizuar shërbimet me institucionet, shkollat, spitalet, rrugët, lagjet, blloqet e banimit, apartamentet, hotelet etj, vazhdojnë të vijnë vërdallë rrugëve. Mos funksionimi i sistemit të adresave shpesh herë sjell dengje me letra dhe kolive në magazinat postës, të cilat nuk dërgohen në kohën e duhur për shkak të mos gjetjes së adresave.
Në janar 2008, Ministria e Brendshme, shpalli datën 30 shtator 2008, si afatin e fundit për kompletimin e adresave në 30 mars 2009, nuk do kishte asnjë rrugicë, as në komuna… pa adresë. Realisht adresat mungojnë në 40 për qind të mjediseve publike, ndërkohë që nuk i dinë as postierët, paçka se ky projekt ka marrë 63.5 milionë dollarë.
Regjistrim emigrantëve
Mirëpo pavarësisht këtyre shpenzimeve,në nëntor të vitit 2015, qeveria aktuale ndërmori iniciativën për të realizuar një sistem të ri të adresave dhe realizimin e përditësimit të të dhënave të tij. Aktualisht, është realizuar sistemi i adresave, duke përfshirë funksionalitetet e munguara dhe është realizuar përditësimi i të dhënave si dhe është përshtatur sipas reformës territoriale.Gjithashtu, në vijim të regjistrimit te adreses së shtetasve shqiptare, qeveria ka ndërmarrë një iniciativë,mundësimin e deklarimit të adresës së shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, duke mundësuar kështu identifikimin e çdo shtetasi shqiptar me adresat e tyre.
Problemet në sistem
Regjistri Kombëtar i Gjëndjes Civile funksionon siç duhet në nivel qëndror dhe lokal. Ajo që mungon në situatën aktuale, është që ky regjistër duhet të aksesojë të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Adresave dhe gjithashtu mungon një platformë që të realizojë shkëmbimin e vazhdueshëm të të dhënave ndërmjet këtyre dy regjistrave. Një shkëmbim i tillë i të dhënave do të mundësonte Zyrat e Gjëndjes Civile që të bënin regjistrimin e banoreve në adresën korrekte dhe zyrtare. Gjithashtu, Regjistri Kombëtar i Adresave funksionon siç duhet në nivel qëndror dhe është në proces të shtrirjes së tij në nivel lokal. Sikurse u përmend edhe në paragrafin e mësipërm, mungon shkëmbimi i të dhënave ndërmjet RKA dhe RKGJC.