Kryeministri Edi Rama ka vizituar paraditen e sotme Tropojën. Ashtu si njoftoi nga foltorja e Kuvendit të enjten e shkuar, teksa ftoi edhe deputetët e opozitës ta shoqëronin, shefi i qeverisë ndodhet në këtë qytet, në kuadër të turit të tij për Rilindjen Urbane.
Rama shoqërohet në këtë vizitë nga disa ministra të kabinetit, si Nikolla, Gjermeni apo Beqja, ndërkohë që ka zhvilluar takim me kryebashkiakun demokrat të Tropojës, Besnik Dushaj.
Ai është fotografuar teksa ka ecur përgjatë rrugëve të qytetit, veshur sportiv e me xhup.
Në një intervistë telefonike për gazetaren e “Panorama” Arisa Liço, kreu i Bashkisë së Tropojës tha se ka marrë premtimin e kryeministrit Rama që do të mbështesë me financim disa nga projektet që Bashkia i ka gati për zhvillimin ekonomik të zonës.
Intervista
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Tropojë ku pati një takim edhe me ju, mund të na thoni diçka si shkoi takimi me kryeministrin Rama?
Unë i paraqita projektet që ka bashkia jonë, i ka gati dhe presim financim, në infrastrukturë, furnizimi me ujë të pijshëm, kanalet vaditëse për subvencionimin e prodhimeve bujqësore.
Patët ndonjë përgjigje?
Na premtoi se do ti financojë një pjesë të këtyre projekteve që unë i paraqita, i shpjegova për varfërinë që është në Tropojë, për papunësinë e madhe, i kërkova që të shihet mundësia të hiqet dogana për furnizimin e Tropojës nga Gjakova, të jetë zonë e lirë Tropoja. Ai tha do ta shohim më në detaje se si mund ta realizojmë që mund të funksionojë kjo.
Jeni i kënaqur nga gatishmëria e kryeministrit për të ndihmuar ju në krye të bashkisë me projektet që i keni gati?
Ne kemi shumë projekte që janë hartuar nga inxhinierë, për infrakstrukturën, uji i pijshëm, ne presim financimin e tyre. Unë ia parashtrova kryeministrit ai të paktën e pranoi që do të mbështesë.
Cila ishte fusha që ai e shihte më me përparësi që të mbështeste në Tropojë?
I kërkova përqendrimin te bujqësia, përmirësimin e sistemeve vaditëse dhe mbështetje në infrastrukturën turistike në Tropojë, pra janë dy shtyllat kryesore të cilat ne besojmë se i japin zhvillim, impakt zhvillimit ekonomik.
Kryeministri Edi Rama zakonisht kur shkon në bashkitë e djathta nuk i kursen batutat dhe ironitë, patët ndonjë shkëmbim batutash?
Jo nuk pati, (qesh) nuk pati asgjë të veçantë, do të takoj më tha edhe pas zgjedhjeve se ne do ta fitojmë, “jo jo thashë për ato mos ki frikë se nuk fiton gjë”./Panorama/a.m.