Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së bërë nga Klemenet Balilaj për mediat greke se akuzat ndaj tij janë inskenim i Sali Berishës. Nga selia blu, reagoi kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj i cili tha se Rama po bën gjithçka për të mbrojtur “Eskobarin e Ballkanit”. Ai tha se Rama madje është gati ta bëjë atë hero.
“Edi Rama po bën çdo përpjekje të shpëtojë Klement Balilajn, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i skeduar si “Eskobari i Ballkanit”, dje me gjuhën e Edi Ramës, Klement Balilaj tha se për këtë fajin e ka Saliu. Ndonëse për Balilajn ka një urdhër arresti, Edi Rama i jep mbrojtje, nuk e arreston, madje e ruan me shefat e tij të policisë, ndërsa ai pushon në hotelin e tij luksoz në Sarandë. Kaq i rëndësishëm është Balilaj për Edi Ramën, sa sipas tij shpallja në kërkim si koka e trafikut të drogës në Ballkan është komplot “amerikano-grek”, kundër Edi Ramës. Dhe s’ka faj, në shtetin e Edi Ramës nuk e di ku fillon krimi e ku mbaron shteti, ku fillon shteti e ku mbaron krimi. Propaganda e Edi Ramës na e nxori Balilajn shenjtor, por meqë është kaq i pafajshëm, meqë atij dhe Edi Ramës po i bien në qafë, opozita, Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA, policia greke, pse nuk ia dorëzon drejtësisë që të vërtetojë pafajësinë e tij? Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA dhe policia greke kërkojnë arrestimin e Balilajt, por Edi Rama nuk e arreston dot. Sepse ai është peng i krimit dhe i trafikut të drogës. E sollën në pushtet, po e mbajnë në pushtet dhe shpreson se do t’i garantojnë pushtet. Për para dhe pushtet, Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, ta bëjë dhe hero “Eskobarin e Ballkanit” Klement Balilajn.” tha Alibeaj.
Një ditë më parë, në një intervistë për mediat greke, Klemend Balilaj mohoi akuzat e ngritura nga drejtësia greke.
Balilaj akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzat e ngritura kundër tij, me qëllim për të dëmtuar kryeministrin Rama, pasi njëri nga njerëzit e tij të afërt është anëtar i partisë në pushtet.
/a.m.