Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka deklaruar se vendosja e sanksioneve dhe kthimi i shpinës Rusisë, do të ishte politikë tradhtare dhe kjo do t’i hapte rrugën Kosovës që të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Kombeve të Bashkuara, transmeton Koha.net.
Daçiç ka theksuar se anëtarësimi në BE është qëllim strategjik por jo dhe i vetmi i Serbisë. “Qëllimi ynë i parë është t’i mbrojmë interesat tona kombëtare e shtetërore”, citon “Veçernje Novosti” të ketë thënë Daçiç.
Ai ka theksuar se është gënjeshtër se miqësia me Moskën është shkak pse Beogradi nuk hap kapituj negociatash me BE-në dhe ka shtuar se kapitujt do të hapen kur vendet e BE-së të vlerësojnë se ka përparim në negociatat Beograd – Prishtinë.
“Serbia është e hapur për dialog, por ne do të marrim pjesë vetëm në negociata me status neutral. Nuk merremi me lojërat e Prishtinës. Shikoni tash. Atje miratohet rezoluta për mbrojtjen e fryteve të UÇK-së e për shkak të këtyre terroristëve është formuar Gjykata Speciale për krime lufte e tregtim organesh”, ka thënë Daçiç, transmeton Koha.net.
Sipas fjalëve të tij, dialogu me Prishtinën edhe përkundër përpjekjes për, siç tha ai, rrëmbimin e Trepçës e të Telekomit, nuk do të ndërpritet pasi këtë nuk do ta lejojë BE, cituar nga Koha.
Duke folur për mundësinë e që në fund të negociatave Serbinë e pret kërkesa për të nënshkruar marrëveshjen detyruese juridike me Kosovën, Daçiç ka thënë se për këtë gjë nuk di njeri.
“Është e sigurt se të gjitha vendet anëtare të BE-së nuk do të pranojnë që nënshkrimi është njohje e pavarësisë Kosovës”, ka thënë Daçiç. (b.an)