Kryeministri Rama e sheh vendimin e pezullimit për ligjin e Vettingu-t nga Gjykata Kushtetuese si shprehje e rezistencës nga një aleancë që i druhet Reformës në Drejtësi, ku ai rreshton dhe opozitën.
Në një intervistë për Tv Klan, kreu i qeverisë shprehet i sigurtë se Vettigu do të kryhet pavarësisht vonesave që po krijon kjo aleancë dhe se atij nuk do të mund t’i shmanget askush.
“Partia Demokratike po bën një përpjekje të gjithanshme për ta penguar Reformën në Drejtësi qysh në ditën e parë, diku duke hedhur gurin vetë, diku duke hedhur gurin e fshehur dorën që reforma të zvarritet. Gjykata Kushtetuese mori një vendim i cili është për mua shprehje e rezistencës që i bëhet reformës, por ajo që mund t’iu them unë është që Vettingu në Shqipëri do të bëhet.”
Reforma në Drejtësi solli përplasje edhe në koalicionin qeverisës, duke ngritur pikëpyetje në vazhdimësinë e tij. Kryeministri thotë se ai e ka të qartë të ardhmen dhe pret vendimin e LSI –së.
“Pas mbarimit të fushatës në LSI, ku unë besoj që nuk duhet të presim surpriza, pra nëse LSI nuk do të “rimartohet” djathtas, ne do vazhdojmë të qëndrojmë bashkë majtas.”
Debate në koalicion shkaktoi edhe deklarata e Ministrit të Drejtësisë për përfshirjen e ushtrisë në betejën e shtetit me kultivuesit e kanabisit. Por Rama thotë se ai ishte vetëm një mendim personal.
“Ministri ka bërë thjesht një propozim, secili ka lirinë e vet për të bërë propozime të caktuara.”
Kryeministri pohon se mazhoranca është gati të amendojë ligjin për importin e mbetjeve pasi presidenti e ktheu për rishqyrtim në kuvend, por përjashton mundësinë e shfuqizimit të tij siç kërkojnë shoqatatat ambientaliste./a.k