Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Berat një takim me mësues dhe drejtues shkollash të qytetit mbi arritjet e reformës në sistemin arsimor. Kryeministri Rama iu komunikoi mësuesve rritjen e pagave me 10%, ndërsa deklaroi se në pjesën e poshtme rritja do jetë shumë e fortë, në pjesën e punonjësve që hyjnë tek rrogat minimale, 35%.
“Ne kemi bërë një rritje rrogash në fakt, nëse ju do ta masni me paratë që ju ngelen në xhep e jo me paratë që merrni në bordero, duke e ulur taksën e sheshtë që ishte 10% dhe duke bërë që paratë që mbeteshin në xhepin tuaj pavarësisht se rroga ishte po ajo, por kemi besuar e besojmë që nuk mjafton.
Me këtë nuk po ju them që kjo që do bëjmë mjafton, por po ju them që kjo që do bëjmë i bën mësuesit nga rrogëtarët më të mirëpaguar në Shqipëri.
Dhe faktikisht, rrit rrogën e mësueseve mesatarisht 10% e mesatarisht 10% është një shumë konsistente po të kemi parasysh që në tërësi, shteti do të vendosi 100 milionë dollarë plus një subvencion për rrogat dhe pensionet ku 18 milionë pre tyre janë vetëm për arsimin.
Ju do keni të njëjtat taksa, sistemi i taksave nuk ndryshon, por do keni një rrogë më të lartë e nga kjo rrogë më e rritur do të përfitojnë 34 660 punonjës arsimor.
Në pjesën e poshtme rritja do jetë shumë e fortë, në pjesën e punonjësve që hyjnë tek rrogat minimale.
Rrogat e tyre do ti rrisim 35% në të gjithë fashën e rrogës minimale”u shpreh Kryeministri.
Ndërsa ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e cila shoqëronte Kryeministrin u shpreh se portali “Mësues për Shqipërinë” është një realitet për Drejtorinë Arsimore të Beratit dhe mënyra më efikase e përzgjedhjes dhe përfshirjes së mësuesve në trupën arsimore, bazuar mbi meritën, larg ndikimit të politikës dhe korrupsionit.
Pas takimit me mësuesit, Rama inspektoi edhe disa projekte të Rilindjes Urbane.
Në Berat përmes një investimi prej 180 milion lekësh është vënë në zbatim projekti i ri i digës mbrojtëse në dy anët e lumit, që mundëson shpëtimin njëherë e përgjithmonë të qindra familjeve nga përmbytja e përvitshme. Gjithashtu me anë të këtij projekti bëhet e mundur edhe krijimi i një hapësirë të re publike përgjatë shëtitores buzë lumit, parku i fëmijëve, si dhe terrenet e reja sportive për të rinjtë.
Ndërsa investimi i parashikuar me vlerë 300 milion lekë përfshin ndërhyrje në disa rrugë, konkretisht: rruga “Stadiumi i vjetër – Stadiumi i ri” që fillon tek Stadiumi i vjetër, duke vazhduar në drejtim të stadiumit të ri, përfshirë edhe sheshin para tij. Kjo rrugë është njëkohësisht pjesë e Bulevardit “Republika”. Hapësirat janë totalisht të lira, por shtresat e trotuarit dhe të rrugës janë të dëmtuara.
Gjatë turit të tij, Rama u ndal edhe në Urën Vajgurore, ku Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane, sipas njoftimit po i jep zgjidhje përfundimtare problemit 25-vjeçar të përmbytjes së rrugës nacionale dhe të lagjes pranë lumit Osum.
Në Poliçan Rama inspektoi shëtitoren “Miqësia”, e cila i është nënshtruar rehabilitimit të plotë të saj, përmes një investimi me vlerë rreth 28 milion lekë.
Ndërsa në Çorovodë, kryeministri inspektoi punimet për sistemimin, asfaltimin dhe ndriçimin e segmentit rrugor “Arkitekt Kasemi”.
Projekti ka realizuar punime si gërmim, realizim i shtresave të trupit të rrugës, ndërtim muresh mbajtës betoni, bordurë trotuari, kanalizime, sistemim i ujërave të shiut, si dhe punime elektrike për realizimin e ndriçimit të segmentit rrugor.