Bashkryetarët e komisionit të reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi dhe Taulant Balla hedhin në tryezë të tjera propozime për të ndryshuar Kodin Elektoral. Një KQZ më e fuqishme nga ajo që është aktualisht si komisionet të depolitizuar të votimit, janë ato që PS synon të rregullojë në ligjin e zgjedhjeve.
Ndërsa demokratët kërkojnë vendosjen e një kufiri ligjor për shpenzimet e partive, i cili nëse kapërcehet të ndëshkohet me ligj.
Për këtë arsye sipas Oerd Bylykbashit duhet ndryshuar jo vetë Kodi Zgjedhor por dhe ai penal dhe i procedurës penale.
“Nevojitet që partitë politike të mos financohet nga privati. Kjo për të shmangur përfshirjen e financuesve në poste të rëndësishme të administratës pas zgjedhjeve. Prandaj, nevojitet ndryshimi i Kodit Penal për donacionet e partive, duke lehtësuar kështu edhe punën e Prokurorisë. Është e domosdoshme që partitë të faktojnë në detaje shpenzimet, të bëhet detyrim ligjor nga KQZ për të kostuar çdo aktivitet e material të bërë në kuadër të zgjedhjeve. Sanksionet të shkojnë tek kryetari e kandidatët e jo thjesht te financieri i partisë. Të gjithë të mbajnë përgjegjësi nëse kanë falsifikuar shpenzimet, të cilat arrijnë deri në 2 milionë euro për kandidat në fushatën zgjedhore. T’i vemë kufi shpenzimeve të partive politike, kush e kapërcen, penalitete ligjore. Probleme ka shumë, kohë nuk ka më”, u shpreh Oerd Bylykbashi.
Bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Taulant Balla, u shpreh se ndryshimet në Kodin Elektoral duhet të miratohen deri në muajin dhjetor. “Sa i takon disa propozimeve, si ai për depolitizimin e komisioneve të qendrave të votimit, ka ardhura koha që të flasim seriozisht. Vetë partitë votohen, e pastaj po vetë numërojnë votat. Kjo nuk është një gjë e mirë. Po nuk u ndamë nga kjo praktikë, ne s’kemi për të pasur kurrë cilësi në zgjedhje. Partia Socialiste është totalisht për depolitizimin e komisioneve të Qendrave të Votimit. Ka mësues e ShoqëriCcivile që mund ta marrin përsipër ta bëjnë këtë”, tha Balla.
Përfaqësuesi socialist theksoi gjithashtu se nevojitet edhe përmirësimi i kuadrit ligjor, sa i takon regjistrimit të partive politike.
“Ka ende parti të mëdha që ende nuk kane regjistruar kryetarin e ri në Divjakë. Apo statutin e partisë. Ka shumë argumente kundër financimit të partive vetëm nga buxheti i shtetit. Do i kthejmë partitë në organe shtetërore. Të ardhurat janë shumë më të mëdha se ato që deklarohen në KQZ. Të detajojmë dhe të ardhurat njësoj si shpenzimet. Të mos lejohen mediat të mbështesin subjektet duke i transmetuar reklama falas. Të rriten kompetencat e KQZ-së”, ishte propozimi i deputetit socialist, Balla.
Nga ana e saj, Lefterie Luzi, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kërkoi nisjen e reformës pa humbur kohë.
“Filloni që sot reformen. Nuk ka kohë për të përgatitur procesi”, u shpreh kryetarja e KQZ-së, Luzi.
Deklaratat drejtuesit e reformës elektorale i bënë gjatë një konference kundër krimit financiar ku ishte e pranishme dhe kryetarja e KQZ-së Lefteri Luzi.
ma.me