Publikohen të dhënat e studimit të kryer në popullatën e burgosur, si pjesë e grupeve vulnerabël. Të dhënat e këtij studimi nxjerrin në pah se ata shpeshherë përfshihen në sjellje të rrezikshme, në marrëdhënie homoseksuale, duke rritur kështu riskun e përhapjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, e sidomos HIV-AIDS. Kjo gjë është konfirmuar nga drejtuesi i këtij studimi, Arian Boçi. “Sistemi i burgjeve është minë me sahat sidomos sa u përket shpërthimeve epidemiologjike të HIV-AIDS-it. Të burgosurit përfshihen shpeshherë në marrëdhënie të pasigurta homoseksuale. Sipas të dhënave të studimit, rreth 2/3 e tyre kanë pohuar se nuk përdorin prezervativ gjatë marrëdhënieve seksuale”, – theksoi Boçi.
Mes 200 të burgosurve të analizuar, specialistët kanë konstatuar dy raste të reja me HIV dhe dhjetëra me hepatit dhe sifiliz. Ndërkohë që, problem është përdorimi i drogave të ndryshme, pasi sipas drejtuesit të studimit, Boçi, 13% e të burgosurve kanë pohuar se përdorin droga të llojeve të ndryshme. Studimi në burgje është mbështetur nga UNFPA, nën zbatimin e organizatës “STOP AIDS” dhe në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Studimi
Sipas studimit të Survejancës Biologjike dhe të Sjelljes te personat e burgosur, rezulton se ata janë në rrezik të madh për t’u infektuar nga HIV-i, Hepatiti Viral B dhe C (HBV & HCV). Situata e HIV-it në mjediset e burgjeve në Shqipëri është ende e paqartë kryesisht për shkak të të dhënave të kufizuara dhe saktësisë së tyre, ndërsa, për sa i përket Hepatitit Viral B dhe C (HBV & HCV), të dhënat kryesisht mungojnë. “Në mjediset e burgjeve përdoren droga të ndryshme, përfshirë kanabisin, heroinën, kokainën, ekstazinë e alkoolin, dhe prevalenca e përdorimit të ndonjë lloj substance në mjediset e burgut ishte rreth 13%, duke shënuar një rënie të konsiderueshme në krahasim me nivelet e përdorimit të substancave përpara burgosjes”, – sqaron Arian Boçi, drejtues i studimit. Sipas studimit të kryer, rezulton se përdorimi i drogës ishte më i lartë në burgjet e lokalizuara jashtë kryeqytetit, duke nënkuptuar masa më të forta kontrolli në burgjet e kryeqytetit.
Ndërkohë, prevalenca e mospërdorimit apo përdorimit të rrallë të prezervativit gjatë takimeve seksuale shënoi rritje krahasuar me periudhën përpara burgosjes dhe të burgosurit vazhduan të përfshihen në sjellje të tjera të rrezikshme, të tilla si marrëdhëniet homoseksuale, kryerja e tatuazheve, shkëmbimi i ageve etj. “Ndërsa prevalenca aktuale e infeksioneve HIV, HBV, HCV dhe sifilizit në këtë grup popullate rezultoi 0.5%, 9.5%, 11.8% dhe 2.4%, përkatësisht, duke përfaqësuar në përgjithësi nivele më të larta krahasuar me popullatën e përgjithshme, me përjashtim të Hepatitit B”, përcaktohet në studim.
Prevalenca e hepatitit B dhe C rezultoi më e lartë në burgjet e tjera përveç Tiranës dhe te meshkujt, ndërkohë që tendenca të kundërta u vërejtën për infeksionin HIV dhe sifilizin. Sipas specialistit, gjetjet e këtij studimi sugjerojnë që popullata e të burgosurve në Shqipëri përbën një grup me rrezik veçanërisht të lartë për përhapjen dhe transmetimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST).
Ndaj, sipas Boçit, është e nevojshme për shërbime mbështetëse që të ndihmojnë të burgosurit për një kohë të caktuar pas lirimit të tyre nga burgu dhe kthimit të tyre në komunitet. Gjithashtu, duhen zbatuar me rigorozitet dhe përforcuar rregulloret ekzistuese dhe kontrolli i substancave në mjediset e burgjeve, me qëllim minimizimin e problemeve që lidhen me përdorimin e drogave në këto mjedise, duke reduktuar kështu dhunën dhe sjellje të tjera të rrezikshme dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të të burgosurve në Shqipëri.
BW/d.i.