Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka arritur t’u rezistojë presioneve politike dhe për pasojë disa nga vendimet e saj, sipas njohësve të çështjeve juridike, ende janë objekt diskutimi për atë nëse ishin vendime të drejta.
Përveç ndikimeve politike në vendimet e Kushtetueses, ndaj udhëheqësve dhe gjyqtarëve të këtij institucioni ka pasur edhe kritika për përfshirje në skandale të ndryshme, shkruan Koha Ditore.
Driton Selmanaj, nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus” (D+), ka thënë se në raste të caktuara Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur që të mbajë distancë nga ndikimet dhe presionet politike.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese disa herë ka interpretuar çështje të cilat kanë qenë më tepër rekomandime se çfarë do të ndodhte në një veprim të caktuar.
Edhe Enver Hasani, edhe pasardhësja e tij në krye të Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi, janë bërë cak i një procedure hetimore penale për falsifikim, pas denoncimit që u kishte bërë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. (b.an)