Në ambientet e Inspektoratit Qendror, u organizua një takim me znj. Dominique Dalmas, Inspektore e Përgjithshme për Administratën, pranë Ministrisë së Brendshme të Francës, Ramona Moldovan, Këshilltare rezidente e projektit të binjakëzimit, në mbështetje të reformës së shërbimit civil në Shqipëri, pranë Departamentit të Administratës Publike, Emmanuel Vergne, Këshilltar pranë Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm dhe përfaqësues të Inspektoratit Qendror.
Ky takim i rëndësishëm vjen si vazhdim i bashkëpunimit shumë të mirë të nisur me mbështetjen e Ambasadës Franceze, për reformimin dhe fuqizimin e inspektimeve në Shqipëri sipas kërkesave dhe praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Europian.
Nga ana e Inspektoratit Qendror u prezantua gjendja e inspektimeve në Shqipëri në nivel qendor dhe vendor. U shkëmbyen ide dhe mendime lidhur me mangësitë dhe mbivendosjen e kompetencave ligjore midis ligjeve specifike të inspektorateve shtetërore, ligjin për inspektimin, si dhe ligjin për nëpunësit civil, duke trajtuar problematikat e hasura dhe propozime për adresimin e këtyre çështjeve. Takimi u hap nga Ramona Moldovan e cila pasi bëri një panoramë të kontributit të projektit të binjakëzimit në fushën e përmirësimeve ligjore, ja kaloj fjalën Dominique Dalmas. Nga ana e Inspektores së Përgjithshme të Administratës Franceze, u bë një ekspoze e mënyrës së funksionimit të institucionit që ajo drejton, si dhe përvoja nga puna e tyre. Nga ana e Këshilltarit pranë Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike u prezantua mundësia e përfitimit të ekspertizës dhe shkëmbimit të eksperiencave në kuadër të programit TAIEX, po ashtu u shkëmbyen mendime lidhur me organizimin e seminareve dhe të një konference rajonale, pjesë e së cilës mund të jenë prezantues të njohur nga fusha e inspektimeve dhe bota akademike e vendeve të BE, si dhe vendeve të rajonit.
Nga ana e Inspektoratit Qendror u shpreh gatishmëria për të kontribuar në susksesin e përpjekjeve të përbashkëta për harmonizimin e legjislacionit sipas kërkesave të BE, si dhe lehtësimin e barrës administrative ndaj biznesit vendas dhe të huaj që operojnë në Republikën e Shqipërisë.