Projektimi i Stabilitetit është një nga temat kryesore të Takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel. Në këtë prizëm, ministrat e Mbrojtjes u ndalën në aktivitetet detare në Detin Mesdhe, iniciativa e NATO-s për krijimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe trajnimit në Irak, etj.
Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, duke u ndalur në operacionet detare në Mesdhe, bëri me dije se vendi ynë ka përfunduar procedurat ligjore kombëtare dhe është në përfundim të aranzhimeve të mbështetjes logjistike për dërgimin së shpejti të një anije patrulluese nga Forca jonë Detare në misionin e NATO-s në Detin Egje. Gjithashtu, ajo u tregua pozitive mbi rolin që duhet të ketë Aleanca në Mesdheun Qendror, në kuadër të operacionit “Sea Guardian”, duke mbështetur dhe koordinuar me operacionin detar të BE-së në këtë zonë “Sophia”. Kjo dhe në përgjigje të kërkesës të zyrtarëve të Bashkimit Evropian për mbështetje. “Në gjykimin tonë, kontributi i Aleancës në këtë rajon i shërben projektimit të stabilitetit, por njëkohësisht mbështet dhe rritjen e bashkëpunimit NATO-BE”, theksoi ministrja Kodheli.
Për sa më lart, ministrat ranë dakord për vijimësinë e aktivitetit detar në Detin Egje, si dhe për të mbështetur operacionit detar të BE-së “Sophia”.
Në lidhje me Irakun, ministrja e Mbrojtjes falënderoi sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Stoltenberg dhe stafin e tij, të cilët kanë adresuar me palën irakiane disa nga shqetësimet tona të ngritura gjatë Ministerialit të qershorit lidhur me disa pengesa “ligjore/procedurale” për të kontribuar në Irak. “Shqipëria mbetet e vendosur dhe është duke koordinuar me vendet aleate për të kontribuar me personel, në kuadër të koalicionit global kundër ISIS, Inherent Resolve. Gjithashtu, vendi ynë do shqyrtojë dhe mundësitë për të kontribuar në Irak, nën ombrellën e NATO-s.”, u shpreh Kodheli.
Ministrat e Mbrojtjes miratuan udhëzimet dhe drejtimet kryesore për krijimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe trajnimit në Irak.
Në fund të fjalës së saj, Kodheli u shpreh se në ditët në vijim pritet të dërgohet kontingjenti shtesë në Herat, Afghanistan, duke e dyfishuar prezencën tonë aktuale në misionin “Resolute Support”.
Gjithashtu, ajo bëri me dije se vendi ynë ka marrë vendimin që të dyfishojë edhe prezencën në KFOR, në Kosovë, duke filluar nga viti 2017./a.m.