Minuta e 30-të e ndeshjes me Atalantën në stadiumin “Adriatico” në Peskara dhe fusha dridhet për 30 sekonda. Ora shënon 21:18, koha e tërmetit që tundi sërish mbrëmë Italinë. Lëkundjet ishin kaq të forta saqë njerëzit në stadium u nisën me shpejtësi drejt portave të daljes nga stadiumi, ndërsa arbitri Guida u detyrua ta ndërpriste takimin për katër minuta.
Kur loja rifillon, nis një shi i rrëmbyer që e kthen në pellg fushën, si kurrë më parë. Lojtarët nuk e perceptojnë krejt se çfarë po ndodh, deri në pushim, por askush nuk sheh më nga fusha, të gjithë janë me celularët në vesh. Më kot, sepse linjat nuk punojnë për disa minuta. Frika e bën surreale atmosferën. Stjuardët, forcat e rendit, mjetet e ndihmës së shpejtë janë në lëvizje pranë fushës, të gjithë gati për ndonjë urgjencë të mundshme dhe evakuimin e stadiumit.
Gjatë pushimit, shiu ndalon dhe loja rinis. Normaliteti nuk kthehet plotësisht, pasi stadiumi është gjysmë bosh.
Për sa i përket lojës, Atalantës i mjaftoi një goditje nga këndi për golin e vetëm të takimit. Pescara sulmon e dëshpëruar, por pa mundur kurrë të godasë portën e Berishës dhe Atalanta rezulton si një nga surprizat e kampionatit pas dhjetë javëve të para.
Gds/d.i.