Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi i ka dalë në krah ish deputetit Mark Frroku, mes të tjerash edhe në akuzë për ndërtim pa leje. Në seancën e sotme, deputeti Doshi ka theksuar para trupit gjukues se kati i fundit i hotelit që i është shitur prej tij, Mark Frrokut ka qenë i legalizuar.
“Kam pasur kontratë shit-blerje me Mark Frrokun. I kam shitur një hotel në rrugën e Durrësit, hoteli kati i fundit është i legalizuar. Në hotel nuk ka pasur asnjë shtesë”- ka thënë Doshi.
Më tej, duke folur për akuzën Doshi ka sqaruar: “Aty nuk ka pasur ndërtim pa leje. Ka qenë vetëm një tendë. Nuk e di në ç’baza e ka ngritur prokuroria akuzën. Po të ishte kështu, gjysma e Tiranës duhet të ishte në burg.
Gjatë seancës, prokurori iu drejtua Doshit duke e quajtur “të pandehur”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit.
“Ju pëlqen shumë që të më thërrisni ‘i pandehur’,” tha ai.
“Ju kërkoj ndjesë, është lapsusi im,”- u përgjigj prokurori. Panorama sjell debatin e plote dhe batutat ne seancen gjyqesore.
DESHMIA E PLOTE
Doshi: Unë dua të lexoj njëherë deklarimin, që kam dhënë. E kam firmosur njëherë një deklarim.
Gjykata: Dëshmitar, do të pyeteni nga prokurori. Ka një procedurë. Nëse e vlerëson gjykata, do të lejohet leximi. Vazhdoni me pyetjen e deshmitarit prokuror.
Prokurori: Atehere i pandehur, me falni, zoti dëshmitar.
Doshi: Ja, i pëlqen prokurorit të më thotë i pandehur.
Prokurori: Ishte një lapsus, i korigjuar në kohë.
Doshi: Epo, të kesh kujdes.
Prokurori: Zoti dëshmitar, nëse mund të na thoni për marrëdhënien e biznesit që keni pasur me Mark Frrokun, nëse keni pasur ndonjë kontratë…
Gjykata: Prokuror, bëni pyetje të shkurtra, në mënyrë që dëshmitari t’i përgjigjet njëra pas tjetrës.
Prokurori: Dëshmitari e ka kapacitetin intelektuar, për t’iu përgjigjur pyetjeve edhe nëse i bëhen të grupuara, po nejse.
Doshi: Derisa i keni kontatat përpara, mua pse më keni thirrur. Ju i dini këto.
Gjykata: Dëshmitar, përgjigjuni pyetjes, nëse keni pasuir një marrëdhënie biznesi me Mark Frrokun.
Doshi: Unë Mark Frrokut i kam shitur hotelin. Këtë as Marku nuk e mohon. Ka kaluar kohë e gjatë dhe unë dua të lexoj deklarimin e mëparshëm.
Gjykata: Nuk lejohet në këtë moment. Atëherë për cfarë objekti bëhet fjalë?
Doshi: Kam bërë shitjen e një objekti, hotel, në rrugën e Durrësit.
Prokurori: çfarë sipëfaqe ka ky objekt, sa kate ka?
Doshi: Bëhet fjalë për 1 mijë metër katrorë dhe ka 5 kate.
Prokurori: Keni bërë shtesë në këtë objekt?
Doshi: Është bërë legalizimi i katit të sipërm.
Prokurori: A ka pasur një shtesë anësore të këtij objektin?
Doshi: Jo nuk ka pasur. Tani për cfarë pjese bëhet fjalë.
Prokurori: Për një konstruksion metalik në pjesën e parme të tij.
Doshi: Nuk quhet shtesë një tendë. Shtesë është nëse ka mure me beton, që nevojitet një fadromë për ta shembur.
Prokurori: A ka pasur?
Doshi: Jo, nuk ka pasur, as kur e shita e as kur e kam rimarrë.
Prokurori: Keni dorëzuar formular në Aluizni për shtesën?
Doshi: Jo.
Avokati: A pati tendë në pjesën e parme kur e shitët hotelin?
Doshi: Nuk ka pasur as kur e shita, as kur e mora prapë. Më kanë thënë se ishte një tendë për mbrojtjen e materialeve që gjendeshuin aty. Më duhet pa bazë kjo akuzë e prokurorisë për “ndërtim të paligjshëm”. Sa tenda u hoqën në Tiranë për zgjerimin e trotuareve, duhet të ishte gjysma e Tiranës në burg.
Avokati: Kur e keni marrë hotelin, ka pasur materiale në atë pjesë, që janë dëmtuar?
Doshi: Po, ka pasur, objekti ishte në ndërtim dhe kishte materiale brenda e jashtë. Ka pasur jashtë materiale të dëmtuara nga shiu. Nuk di në c’bazë e kanë ngritur akuzën. Pa leje do të ishte po të kishte mure aty.
Gjykata: I pandehur, keni pyetje.
Frroku: Jo nuk kam.
Doshi, gjykatës: Ju duhet ndonjë gjë tjetër nga unë?
Prokurori: Kur e keni rimarrë objektin?
Doshi: S’e mbaj mend.
/panorama/a.k