Nga Ben Andoni
Ka kohë që mbi kolegun kosovar Leonard Kërqukin nuk mbarojnë kërcënimet, por orët e fundit ato janë intensifikuar pas transmetimit të dokumentarit televiziv të radhës “Gjahu në UÇK”. Ky prodhim i Express për kanalin televiziv RTV “Dukagjini” ka treguar disa nga krimet e UÇK-së. Është transmetuar në dy pjesë dhe po mundohet të tregojë krimet dhe ndjekjet nga lufta në mes të Serbisë dhe Kosovës gjatë viteve ‘90.
Fatkeqësisht, deformimin e mesazhit të saj, një pjesë e njerëzve ose e të fortëve në Kosovë, po ia bashkangjisin vendimit të gjykatës kosovare për rastin “Drenica II”, që ka konfirmuar dënimet për disa nga figurat udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë që në këtë hulli ngjarjesh, sapo ka filluar nga puna dhe Gjykata Ndërkombëtare Speciale për Krimet e Luftës, që do të merret me personazhet e luftës kosovare-shqiptare. Dhe, tashmë Kosovës, do i shtohet një hall mbi hallet që do të thotë një përballje të disa personazheve më të rëndësishëm të vendit me autoritetin e këtij Tribunali me seli në Hagë. Vetëm tashmë që po limitohet koha, Përfaqësuesit politik nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës po shikojnë rrezikun dhe afrimin e një stuhie për prishje të mëtejshme ekuilibrash.
Shqetësimi në fakt ngrihet në formë presioni nga “të fortët” e shumtë që janë në Kosovë dhe që tashmë po u djeg dënimi, që pritet të marrin. Dhe, që inatin e shkrehin mes të tjerave me dërgesa kërcënuese ndaj gazetarit të sipërpërmendur, që si pakkush kolegë nga trevat shqiptare, ka treguar hapur në dokumentarët e tij, shumë nga problematikat kosovare të pasluftës. Duket qartë se të fortët e Kosovës nuk mund të durojnë dot prishjen e kësaj status quo, mu atë që i ka ndihur në vitet e pasluftës të pasurohen dhe ku shpesh kanë përdorur si justifikim mbrojtës UÇK-në dhe kontributin e tyre.
Në fakt është e vërtetë që ka një qasje tjetër ndaj UÇK-së por për këtë kanë më shumë frikë ata që vërtetë e kanë tepruar dhe jo ajo masë e pastër, që iu bashkua për idealizëm dhe pa asnjë lloj interesi. Ashtu si sot po dalin rrenat e shumë kinse trimave. Kjo masë sot është në sulm edhe përbëhet nga një masë përfituesish që e kanë rritur armatën e ushtrisë së UÇK-së, në një numër gati absurd.
Prishja e shumë ekuilibrave, që do të thotë arrestime, por edhe presionet për fshehje të dhënash, presionit për mosdhënie dëshmish, rëndon mbi të gjitha atë gjendje që kanë krijuar pseudot në Kosovë dhe masa e të fortëve, që nuk e llogarisin fare shtetin e Kosovës. Kjo e fundit me malin e problemeve që ka duhet të zgjidhë dhe problemin e madh, që kanë sjellë shumë nga njerëzit që përdorën edhe përdorin UÇK, por që në fund po i bënë keq vetë kësaj force, që u bë shpresa e vetme për njerëzit në kohën e Luftës. Ndaj të duket naive kur në Kosovë, shumë personazhe të tillë, bëjnë sot rolin e të shqetësuarit për prishjen e imazhit të Kosovës. Ky imazh në fakt ka vite që është dëmtuar para syve të të gjithëve, por më shumë atyre që kishin mundësi ta frenonin, duke vendosur një lloj hierarkie vlerash dhe duke iu larguar atyre kremtimeve epokale!!!
Në këtë hulli, Leonard Kërquki meriton një mbështetje nga kolegët jo thjesht për përpjekjen e tij por edhe për qasjen e temave, që po ç’davarit atë që nuk e bën dot autoriteti i qeverisë së Kosovës dhe institucionet fjalamane, ku pushteti i “të fortëve” shpesh e sfidon shtetin dhe po ul dita-ditës atë përpjekje idealiste të njerëzve të dëlirë të UÇK-së. (Javanews)