Projektorët e kthyer nga yjet kuqezi. Java e 10-të e Serisë A do të ofrojë dy derbe shqiptarësh, të cilët do ta bëjnë edhe më interesante mbrëmjen e sotme sportive. Rezultatet e mira të arritura nga kombëtarja kanë bërë që klubet italiane të besojnë dhe të investojnë bindshëm në lojtarët e drejtuar nga trajneri Xhani De Biazi dhe pa dyshim që ky mbipopullim i kategorive të ndryshme të futbollit në gadishullit Apenin është shpërblimi më i mirë që këta lojtarë mund të kishin marrë.
Nata e sotme do të ofrojë dy derbe shqiptarësh në Serinë A. Në stadiumin “San Paolo”, Napoli i Elseid Hysajt do të presë Empolin e Frederik Veselit. Nëse mbrojtësi i djathtë është një titullar dhe një nga liderët e skuadrës së Mauricio Sarrit, qendërmbrojtësi i zbarkuar sivjet mes më të mirave të Italisë po fiton një hapësirë të rëndësishme tek Empoli dhe sipas medias sportive pritet titullar në takimin e sotëm.
Ndërkohë, një tjetër sfidë që do të vërë përballë, jo më dy, por tre shqiptarë, do të jetë ajo e cila do të luhet në stadiumin “Adriatiko”, mes Peskarës dhe Atalantës. Në radhët e delfinëve luajnë dy futbollistë të Kombëtares kuqezi, mesfushori Ledian Memushaj, i cili është edhe kapiteni i formacionit bardhekaltër, por edhe sulmuesi Rei Manaj. Nëse Memushaj është nga shtyllat e skuadrës së Peskarës dhe prezenca e tij nga minuta e parë nuk është në diskutim, Manaj është në balotazh me Benalin dhe Pepen për një vend në trion sulmuese të “delfinëve”.
Nga ana tjetër, do të qëndrojë Etrit Berisha, “rojtari” i portës së Atalantës, që me pritjet e tij në katër ndeshjet e fundit për bergamaskët fitoi një hapësirë të rëndësishme edhe në faqet e prestigjiozes “Gazzetta dello Sport”, e cila i kishte dedikuar jo pak komplimente.
Kundrejt HysajVeseli, pa dyshim që Memushaj/Manaj-Berisha do të jetë dueli më i bukur dhe emocionues, sepse nëse mesfushori dhe sulmuesi i Peskarës do të kërkojnë t’i japin pikë të rëndësishme skuadrës së tyre, ata duhet të bëjnë llogaritë me shokun e përfaqësueses, për të arritur misionin dhe objektivin e parashikuar. Prandaj, në “Adriatiko” do të ketë realisht shkëndija dhe emocione të bukura./panorama/a.k