Gjykata Kushtetuese ka vendosur dje me shumicë votash pezullimin e zbatimit të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ose siç njihet ndryshe, ligji i vetingut.
“Panorama” duke iu referuar burimeve pranë Gjykatës Kushtetuese raporton se kërkesa e paraqitur nga 1/ 5-a e deputetëve të Partisë Demokratike për pezullimin e ligjit të vetingut, është miratuar me 6 vota pro dhe 2 vota kundër.
Kurse gjyqtari i nëntë i Kushtetueses, Sokol Berberi, mësohet se nuk ka marrë pjesë në mbledhje, pasi ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen që më datë 14 shtator, me një letër dorëzuar pranë kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kryetarit të Parlamentit, Presidentit të Republikës.
Po dje, Kushtetuesja ka vendosur që të dërgojë në Komisionin e Venecias ligjin e vetingut, për t’i kërkuar një vlerësim nëse është i papajtueshëm ose jo me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Këtë procedurë, Gjykata Kushtetuese ndoqi edhe për ligjin e pronave, për të cilin Komisioni i Venecias ktheu përgjigje zyrtare vetëm pak ditë më parë./a.m.