Tifozët serbë vazhdojnë ta përjetojnë rëndë faktin se njëri prej basketbollistëve më të mirë në Evropë, amerikani Justin Doellman ka vendosur të luajë për Kosovën.
Krahqendra Doellman ka luajtur në pesë prej gjashtë ndeshjeve të Kosovës në eliminatoret për “Eurobasket 2017”, që u luajtën në ditën e fundit të gushtit dhe gjatë shtatorit, shkruan Koha Ditore. Doellman ishte më i miri te Kosova dhe po vazhdon me formë të mirë edhe te skuadra e tij, ajo spanjolle Barcelona.
31-vjeçari i gjatë 208 centimetra ka pësuar një lëndim së fundi dhe për këtë arsye pritet të mungojë të mërkurën në ndeshjen që Barcelona e luan në Beograd ndaj Cërvena Zvezdës në kuadër të Euroligës, nivelit më të lartë të garave evropiane të klubeve në basketboll.
Kështu tifozët e Zvezdës nuk do të kenë rastin të fyejnë Doellmanin për faktin që ky lojtar i njohur në Evropë vendosi për Kosovën. Paralajmërimi se priten fyerje ndaj Doellmanit kanë shkruar të hënën mediat serbe, teksa kanë përcjellë lajmin për mungesën e amerikanit. (b.an)