Kompanitë që “spiunojnë” nga brenda kartelin do të shpërblehen nga Autoriteti i Konkurrencës (AK). Për aktivitetet e kartelit gjobat mund të arrijnë deri në 10% të xhiros vjetore një ndërmarrje. Por, marrëveshjet e fshehta janë të vështira për t’u zbuluar dhe për t’u hetuar pa bashkëpunimin e njërit prej pjesëmarrësve në kartel. Tani, nëse pendohesh dhe bashkëpunon me AK, mund të fitosh imunitet dhe shpërblim.
Një program i posaçëm e mundëson këtë status në kushte konfidencialiteti. Programi i Lehtësimit nga Gjoba bazohet në nenin 77 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, si dhe në Kreun III të Rregullores “Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre”. “Lehtësimi” nënkupton imunitetin, por edhe reduktimin e çdo gjobe që do të vendosej për një pjesëmarrës në një kartel, në shkëmbim të zbulimit vullnetar të informacionit, para ose përgjatë fazës hetimore të një rasti. Me anë të programit të lehtësimit, anëtarët e kartelit mund t’i pakësojnë pjesërisht gjobat e tyre financiare ose t’i shmangin ato tërësisht.
Programi i lehtësimit nga gjobat, ka të bëjë me marrëveshjet dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë konkurrentëve, që synojnë të kufizojnë konkurrencën nëpërmjet p.sh fiksimit të blerjeve ose çmimeve të shitjeve, kufizimin e prodhimit, shpërndarjes së produkteve ose kuotave të shitjes apo ndarjes së tregjeve përfshirë edhe “bid-ridding” (marrëveshjet në oferta). Programi ofron mbrojtje të veçantë për nëpunësit dhe drejtorët e ndërmarrjes duke aplikuar imunitet dhe përjashtim nga sanksionet individuale. Gjithashtu, garantohet mbrojtje e informacionit të dhënë.
Sipas platformës së programit, informacioni mbi kartelin nuk mund të përdoret nga ndonjë autoritet tjetër pa pëlqimin e ndërmarrjes. Një subjekt kualifikohet për të përftuar lehtësim nga gjoba, nëse: bashkëpunon plotësisht, i siguron AK-së informacionin e nevojshëm; vë në dispozicion punonjësit dhe drejtorët për t’u pyetur; nuk fsheh dokumentacionin; zbulon fakte të paktën para se AK të ketë njoftuar raportin e hetimit. Lehtësim i plotë nga çdo gjobë jepet, nëse kjo ndërmarrje është e para që ndihmon në zbulimin dhe ndalimin e marrëveshjes kartel, si dhe siguron prova për personat përgjegjës, të pazotëruara më parë nga AK, që i mundësojnë këtij të fundit të fillojë një hetim në lidhje me një marrëveshje të ndaluar. Për përfitim nga lehtësimi i plotë i gjobës ndërmarrja duhet: a) T’i sigurojë AK-së një kopje ose përshkrim të marrëveshjes së ndaluar. b) Të japë emrat, pozicionet, vendndodhjet e zyrave dhe kur është e nevojshme, adresat e të gjithë individëve të cilët janë ose kanë qenë pjesëmarrës në kartel.
Lehtësimi nga gjobat nuk do të jepet nëse, në kohën e aplikimit, AK ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të ndërmarrë një hetim, në lidhje me një marrëveshje të ndaluar, ose e ka filluar një investigim të tillë. Ndërmarrja, e cila ka ndërmarrë nismën të detyrojë ndërmarrjet e tjera të bashkohen në marrëveshje, ose të qëndrojnë në të, nuk përfiton nga ky program. Kompania, që njofton pjesëmarrjen në një marrëveshje të ndaluar dhe që nuk plotëson kushtet për lehtësim të plotë, mund të aplikojë për të përfituar lehtësim të pjesshëm nga gjoba. Në këtë rast, ndërmarrja duhet: T’i sigurojë AK-së prova dhe të dhëna, të cilat i mundësojnë që të provohet shkelja e pretenduar. Komisioni merr në konsideratë kohën në të cilën janë depozituar të dhënat (përfshirë edhe faktin nëse aplikuesi është ndërmarrja e parë, e dyta apo e treta, e kështu me radhë, e cila aplikon). AK deklaron se është në interes të konsumatorit që të lehtësojë nga gjoba një anëtar të kartelit, i cili zbulon marrëveshjen e ndaluar. / Gazeta Shqip