Në nëntor të vitit 2015, Shqipëria miratoi strategjinë kombëtare për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Megjithëkëtë, institucionet ende nuk kanë arritur në nivelin e duhur të bashkëpunimit për zhvillimin e këtij plani.
“Nga pjesa e institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësinë kryesore të merren me çështjen e individëve që radikalizohen, apo marrin pjesë, apo kërcënojnë sigurinë, te raporti komunitar i qasjes, sepse ky raport na ka munguar”, tha Agron Sojati, koordinator kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm në Kryeministri.
Ministria e Mirëqenies Sociale do të ketë një rol të rëndësishëm në një planveprimi me të rinj nga i gjithë rajoni, që do të zbatohet me ngritjen e zyrës së Koordinimit Rinor që do të hapet në Shqipëri, pas marrëveshjes së arritur nga 6 kryeministrat e vendeve më të rëndësishme të rajonit.
“Ta përdorim këtë strukturë si një të tillë që do të na favorizojë në edukimin e rinisë”, tha Merita Xhafaj, drejtore e Politikave në Ministrinë e Mirëqenies Sociale rpoarton tch.
Zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, si përfaqësues i vendit më të madh që prin vendet në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, kërkoi që Shqipëria të zbatojë një plan efektiv për luftën ndaj fenomenit.
“Nuk është e mjaftueshme që të angazhohen vetëm institucionet fetare në dy zona. Qeveria, shoqëria civile, shkollat, policia, familjarët dhe të gjithë të tjerët duhet të ndërveprojnë në një proces të vazhdueshëm kundër këtij fenomeni”, tha David Muniz, zv.ambasador i SHBA në Shqipëri.
Deri më tani, fushatat më të mëdha institucionale, që janë ndërmarrë për ndërgjegjësimin e komunitetit kundër dhunës, janë policimi në komunitet nga Ministria e Brendshme, si dhe Ministria e Arsimit me nismën “Shkolla si qendër komunitare”.