Përleshje me armë pranë një lokali në Radhimë, kur menaxheri i një lokali ra në pritën e tre personave me armë që tentuan ta grabisnin. Gjatë përleshjes, një nga grabitësit mbeti i plagosur, ndërkohë që policia mundi t’i vërë në pranga dhe po heton zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mëngjesin e sotëm, policia ka njoftuar arrestimin në flagrancë 3 shtetasve, të cilët në bashkëpunim tentuan të vjedhin me armë zjarri menaxherin e një lokali në Radhimë.
Policia e Vlorës bën me dije se ka vënë në pranga shtetasit Besjan Hibraj, 24 vjeç; Klajdi Spahaj, 26 vjeç dhe Domeniko Spahaj, 21 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Sipas policisë, dje rreth orës 19:00, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me persona të tjerë (ende të paidentifikuar) kanë tentuar të vjedhin me armë zjarri menaxherin e lokalit “Olympia” Radhimë, shtetasin me iniciale A.B., 26 vjeç, banues në Radhimë.
Gjithashtu, në përleshje me njëri-tjetrin gjatë tentativës së vjedhjes, ka mbetur i plagosur në këmbë një prej autorëve, shtetasi Klajdi Spahaj, i cili ndodhet në kushtet e arrestit në Spitalin Rajonal të Vlorës, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
“Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve të tjerë dhe kapjen e tyre”- njofton policia.
ma.me