Deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për Kosovën, në vizitën e fundit në Beograd, nxiti diskutime jo vetëm të qytetarëve të Kosovës, por edhe zyrtarëve të institucioneve të vendit, se ai nuk mund të flas për Kosovën, përderisa kjo e fundit është shtet dhe ka përfaqësuesit e saj.
Se a ishin të drejta këto qëndrime, deputeti socialist dhe ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, në një intervistë për KosovaPress është shprehur se ka pasur tejkalim, por nuk duhet të ngrihet në nivelin për të krijuar vakum midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas Majkos, do të mjaftonte një vizitë urgjente në Tiranë e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, që të mund të zgjidhej kjo çështje, duke mos u bërë konsumues të deklaratave, që shumë analistë i marrin dhe i kthejnë në doktrina për të krijuar dallime midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Majko tha se ka ekzistuar mos informimi mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës se çfarë do të diskutohet në Beograd, e që sipas tij ky është problemi esencial. E nëse Kosova dhe Shqipëria do të shkojnë përballë Serbisë të pakoordinuara, Majko theksoi që sërish do jemi përballë një historie të tillë.
Për këtë ai tha se vlerëson ndjeshmërinë e Prishtinës, e që Shqipëria duhet të iu shpjegoj të gjitha institucioneve të Kosovës se çfarë ka ndodhur.
“Një lloj mos informimi që ka ekzistuat lidhur me atë se çka do të diskutohej në Beograd midis Qeverise së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës dhe mendoj se ky mund të konsiderohet problemi më esencial, në koordinim dhe informim midis dy palëve i cili është shumë i detyrueshëm për marrëdhëniet për të dyja vendet kanë me Serbinë. Nëse Kosova dhe Shqipëria do të shkojnë përballë Serbisë të pakoordinuara sigurisht që ne do të ndodhemi përballë një historie të tillë sikur kjo e sotmja, çka u tha pse u tha, pse ndodhi. Sigurisht nuk jam në një opinion me një pjesë që këtë ngjarje e morën për të krijuar një debat qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovës për ta sigmatizuar si problem midis Shqipërisë dhe Kosovës. Në marrëdhënie me Beogradin, marrëdhënie shqiptaro-serbe është shumë e gjatë, ka pasur brenda vetes marrëdhënie të shumë kryeministrave dhe sigurisht edhe shumë gabime të cilat vijnë përgjithësisht nga pala shqiptare, dhe këtë duhet ta pranojmë këtë siç është. Si qytetar i Kosovës e vlerësoj shumë ndjeshmërinë e Prishtinës dhe në këtë drejtim mendoj se Shqipërisë i nevojitet një punë shumë specifike edhe nga ana njerëzore për t’i shpjeguar të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës atë çfarë ka ndodhur.
Tejkalimi i deklaratave të Ramës në Beograd, sipas Majkos duhet të përdoren si një mësim për të ardhmen, duke shtuar se Kosova është shtet, ka një elitë shtetërore, e cila duhet respektuar.
Ish kryeministri shqiptar vlerëson se Kosova dhe Shqipëria janë vëllezër dhe nuk ka gardh për t’i ndarë por duhet kuptuar që kanë historinë e dy vëllezërve që kanë shtëpitë e veta.
“Dhe duhet bërë një mësim për ata që do të vijnë më pas. Ka një mënyrë të pa mësuari edhe për një pjesë të elitës politike në Shqipëri që e mendon ende Kosovën edhe shtet edhe jo shtet. Kosova është shtet, ka një elitë shtetërore e cila duhet respektuar nga fillimi deri në fund sikur që respekton një shtet të cilin nuk e ke fqinj pavarësisht që jemi vëllezër, flasim të njëjtën gjuhë, kemi të njëjtën histori , ne duhet të arrijmë ta kuptojmë që kjo është historia e dy vëllezërve që kanë shtëpi në vete , sigurisht që nuk kanë gardh për të ndarë por janë disa detaje që ne udhët të jemi kujdesshëm qoftë Kosova me Shqipërinë, por sidomos Shqipërisë i takon pak më shumë me Kosovën”, tha Majko.
Megjithatë, Majko ka theksuar se nëse preket sovranitetit i Kosovës, Shqipëria implikohet në konflikt me cilindo.
“Ne mund të mos jemi lojtar global, por ne mbetemi vendi i cili nëse preket sovraniteti i Republikës së Kosovës, Shqipëria hyn dhe implikohet automatikisht në konfliktin me cilindo. Duke pasur parasysh këtë pavarësisht që kjo nuk është shkruar ende në asnjë dokument, pavarësisht se Shqipëria dhe Kosova të vetmen punë të përbashkët të dukshme është abetarja e klasës së parë. Nisur nga kjo ne jemi nde duke krijuar një gramatikë të re, një fjalor të ri i cili ka brenda një fakt i cili është krejtësisht i logjikshëm ekzistenca e një elite shtetërore në Kosovë, dhe nuk është një elitë dosido., janë politikanë të cilët kanë shkruar historinë jo vetëm të Kosovës por edhe të Rajonit, janë njerëz të cilët dje kanë luftuar dhe sot janë në politikë, janë nga ata politikanë që vendet tjera do të donin që të i kishin pjesë të politikës së tyre për mënyrën se si ata i artikulojnë dhe se si ata kanë provuar shumë gjëra të cilët shumë politikan qoftë në perëndim apo në lindje vetëm flasin”, tha Majko për KosovaPress.
Veç tjerash deputeti socialist shtoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të ndërtojnë politika të përbashkëta. Ai theksoi se kryeministrat e ministrat shqiptarë e kanë të nevojshëm të bëjnë takime të përbashkëta në qendra të tilla si ajo në Bruksel, e që askush nuk do të mund të akuzonte se po bëhet Shqipëria e Madhe.
“Nuk do të mund ta imagjinoja se si do funksiononte turizmi shqiptar pa shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Maqedonisë. Nisur nga këto ne kemi shumë elemente të cilat duhet të diskutojmë dhe duhet të ndërtojmë politika të përbashkëta sepse jemi shqiptar, në dy shtete të ndryshme. Ministrat tanë të jashtëm kryeministra apo ministra e fushave tjera do ta kenë nevojshme që të bëjnë qoftë edhe të bëjnë vizita të përbashkëta në qendra të tilla siç janë Brukseli, Roma askush nuk do të na akuzonte që po bëjmë Shqipërinë e madhe, përkundrazi sepse jemi kaq gjenetik afër njëri tjetrit, kemi interesa të përbashkëta afër njëri tjetrit. Të qenit përballë të tjerëve bashkë nuk na vënë nën akuzë përkundra na bënë të natyrshëm’, tha Majko.
E lidhur me diskutimet, “kosovar apo shqiptar”, Majko është shprehur se shqiptaret kanë provuar mjaftueshëm njëri tjetrin në momente të vështira, dhe pikërisht ne këto momente shqiptarët duhet të jenë bashkë, dhe nuk kanë asnjë arsyeje në botë për të mos qenë bashkë.
“Nëse do të ishte ky dallim qoftë edhe për një moment shqiptar kosovar, nuk do të ndodhnin shumë gjëra që ka ndodhur për shumë për shumë arsyeje …Nëse merremi me këto detaje ne mund të gjejmë sa të duash element të cilat me demek na ndajnë, por nuk janë këto elemente që na ndajnë. Por nuk janë këto element që na ndajnë janë ato të cilat kemi kaluar si drama si tragjedi edhe kështu. Nëse është për tu thënë, dhe mendoj që shqiptarët i kanë provuar mjaftueshëm njëri tjetrit se në momentet e vështira dhe sidomos në ato momente ata janë, duhet të jenë dhe nuk kanë asnjë arsyeje tjetër në Botë për të mos me qenë bashkë. Ne diskutojmë sot elemente, probleme të cilat më shumë që janë krijuar nga politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës janë pjesë e një strategjie e cila përgjithësisht vjen nga Beogradi e cila përpiqet t’i thotë ndërkombëtareve, Brukselit që marrëdhënia e tyre me shqiptarët është në Tiranë dhe jo në Prishtinë, arsyeja sepse do që trajtimi juridik ndërkombëtar i Kosovës të mos jetë i një shteti por i një gjysmë shteti, i një marrëdhënie të ngrirë e cila në thelb fletë kundër interesave dhe jo vetëm të Prishtinës por edhe të Tiranës. Këto element mendoj që na duhet të na bëjnë në reflektojmë, dhe më shumë se sa të mendojmë që fajtorë jemi ne përballë njëri tjetrit, të shikojmë se mbase në gjithë këtë histori ka një strategji e cila nuk është shqiptare, por e dikujt tjetër. Mendoj që në këtë pikë nuk besoj që sherri vlen të vazhdohet më gjatë”, tha ai.
Majko ndër të tjerash tha se nuk duhet ngatërruar identiteti shtetëror dhe kombëtar, e ata që kërkojnë të krijojnë histori si tha se mund të jenë të suksesshëm për një javë, një muaj por edhe tre muaj por jo më shumë. /KosovaPress/