Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në periferi të Tiranës, duke alarmuar policinë. Një grua ka denoncuar vjedhjen e banesës, madje se grabitësit e kishin lidhur në karrige dhe i kishin marrë 65 mijë lekë të reja. Por gjithçka ka rezultuar e pavërtetë.
Policia sqaron se më datë 22.02.2016, rreth orës 04:40, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur nje njoftim se në fshatin Pinet, Ndroq, në banesën e shtetasit I. Azuni dyshohet se ka hyrë një person për të vjedhur, i cili duke përfituar se i zoti i banesës ishte larguar ka lidhur të shoqen shtetasen Dalina Azuni dhe më pas ka marrë në banesë shumën prej 65.000 lekësh.
Menjëherë në adresën e dhënë janë dërguar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, të cilët kanë filluar kontrollin e territorit dhe mbledhjen e informacioneve për autorët e mundshëm të kësaj ngjarje.
Nga informacionet e marra është mësuar se bashkëshortët Azuni, prej disa kohësh nuk kishin një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin.
Duke qenë përpara këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 6, kanë filluar hetimin në drejtim të një kallëzimi të rremë dhe nga ku kanë arritur të faktojnë se:
Pas largimit të bashkëshortit të saj, shtetasja Dalina Azuni, dyshohet t’i ketë fshehur në një nga dhomat e tjera shumën e lekëve (të cilat u gjetën nga kontrolli i ushtruar nga Specialistet e Policisë pas dyshimeve), më pas ka hapur dritaren e banesës dhe dyshohet se ka lajmëruar familjarët që dikush kishte hyrë në banesë.
Kur kanë shkuar familjarët e kanë konstatuar të lidhur në banesë këtë shtetase.
Nga intervistimi paraprak, shtetësja Dalina Azuni, pranon se i ka bërë këto veprime vetëm për të tërhequr vëmendjen e të shoqit pasi kishte vënë re që kohët e fundit nuk kishin komunikim dhe kishte mosmarrëveshje mes tyre.
Duke qenë përpara këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë nr 6, kanë bërë arrestimin e shtetases:
– Dalina Azuni, 29 vjeçe, banuese në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tianë, për veprat penale “Kallëzim i rremë” dhe “Njoftim i rremë në organet e rendit publik”.
BW/d.i.