Një sasi e konsiderueshme kanabisi, plot 650 kilogramë, është gjetur e braktisur buzë detit në Monopoli, provincë pranë Barit të Italisë. Policia italiane e gjeti lëndën narkotike, të ndarë në 137 pako, të fshehura pas murit të një vile, në anë të detit në Santo Stefano, ku u gjet edhe një gomone e braktisur.
Ka qenë një kalimtar që spikati gomonen e braktisur dhe njoftoi policinë. Sipas mediave italiane, ka dyshime se droga vinte nga Shqipëria, por diçka mund të ketë shkuar keq gjatë udhëtimit dhe trafikantët braktisën drogën dhe gomonen shkruan BW. Mësohet se vlera e marijuanës në treg vlerësohen rreth 3 milionë euro.
Policia italiane ka nisur hetimet mbi ngjarjen duke inspektuar imtësisht zonën, në bashkëpunim me kapitenerinë e portit të Barit./a.m.