Deputetja demokrate Majlinda Bregu kërkon që për financime të dyshimta, kryetarët e partive politike në Shqipëri të shkojnë para drejtësisë edhe gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore.
Propozimin e saj, Bregu e mbështeti në shembullin e vendeve që kanë hapur negociatat me BE-në, të cilat kanë një prokuror të veçantë që merren me mashtrimet zgjedhore.
“Po ju jap rastin e një vendi fqinj që ka çelur negociatat. Në këtë vend, në njësinë antikorrupsion që është një njësi që i përkon SPAK-ut tonë, ka një prokuror të veçantë vetëm për mashtrimin zgjedhor. Në bazë të ligjit dhe asaj që ndodh, vetëm kur hapen negociatat e një vendi me BE-në, detyrimi për të raportuar për financimin e partive politike nuk është më vetëm në fillim apo në fund të fushatës, por bëhet gjatë gjithë fushatës, kur fushata është zhvilluar.
Në përgatitjen e këtij vlerësimi përfshihet Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në rast se ndodh që ka mashtrime apo ka deklarata që nuk përputhen gjatë fushatës, atëherë kërkohet nga gjoba që mund të jetë për mospërputhje të vogla deri te çuarja brenda fushatës zgjedhore para drejtësisë -nëse bëhet fjalë për mashtrime të mëdha- e kryetarit të partisë politike, i cili mashtron me financimet në parti”, tha Bregu në Parlament.
Deputetja demokrate deklaroi se me sistemin aktual, ligjvënësit janë të varur plotësisht nga krerët e partive dhe për të hyrë në Parlament duhet të paguajnë.
“Në gusht të këtij viti, kur shumë zëra ishin në një haré të pajustifikuar se sa e mirë do të ishte qeveria teknike që do të shpëtonte Shqipërinë nga të gjitha gjëmat e kësaj qeverisjeje, madje disa po ndanin edhe emrat e ministrave, kam thënë se problemi i të gjithave do të jetë hilja që po ndodh me Reformën Zgjedhore.
Unë jam një nga të paktët njerëz që besoj se me ligj mund t’i ndalësh dorën korrupsionit me votën. Për të mos i shkuar asaj skemës që është e mirëqenë dhe është gjithmonë në fuqi: ku duhet të paguash për të qenë deputet, ku duhet të paguash dhe të tregosh veten se sa i aftë je për të marrë vendin në Parlamentin e ardhshëm, ku nesër duhet të jesh i gatshëm të bësh vetëm çfarë thotë partia jote, ku koka jote nuk vlen dhe nuk ka rëndësi për 4 vite, sepse ka rëndësi vetëm koka e kryetarit të partisë që të ka zgjedhur”, deklaroi Bregu.
tema/d i