Zbardhet ekspertiza e shqiptarit Pëllumb Marnikollaj, i cili gjeti vdekjen në rrethana të dyshimta në një rajon policie në Athinë. Sipas ekspertizës në trupin e viktimës u konstatuan shumë shenja në pjesë të ndryshme të trupit. Megjithëse nuk përcaktohet saktësisht se nga se i janë shkaktuar plagët dhe shenjat në trup, dyshimet të çojnë se mund të jetë edhe keqtrajtuar. Veç nxjerrjes së ekspertizës, dje (të enjten) dosja e të riut Pëllumb Marnikollaj i ka kaluar prokurorisë.
Policia hedh versionin se 28-vjeçari shqiptar u vetëhodh nga kati i dytë i rajonit, pasi kuptoi se kishte një tjetër urdhër arresti për të. Ndërkohë familjarët dhe të afërmit e tij hedhin dyshimin se djali i tyre është keqtrajtuar dhe dhunuar deri në vdekje duke fajësuar dhe ngarkuar me përgjegjësi punonjësit e policisë.
Pëllumb Marnikollaj gjeti vdekjen më 3 gusht në rajonin e policisë të Patisjas në Athinë, pasi ishte paraqitur si zakonisht për të dhënë firmën, pasi kishte një urdhër detyrim paraqitjeje një herë në muaj lëshuar nga gjykata e Athinës. Çështja tashmë i ka kaluar prokurorisë dhe po ndiqet edhe nga avokatët Thanasis Kambajanis dhe Mimoza Caca. Sot u mësuamse më në fund edhe dosja ju dorëzua prokurorisë nga ana e policisë, pasi prokuroria ia kishte rikthyer më parë asaj për plotësim dhe në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore.
Në lidhje me ekspertizën, avokatja e familjes Marnikollaj, Mimoza Caca, foli në një intervistë për News 24.
Znj.Caca, siç jemi informuar më në fund ju morët ekspertizën e 28-vjeçarit Marnikollaj?
Po më në fund e morëm ekspertizën e shumëpritur. Po e prisnim me padurim, jo vetëm për faktin që ne dispononim fotot në të cilat dukeshin qartë shenjat e dëmtimet në trupin e viktimës, por edhe për vetë faktin se hetuesi i policisë që kishte përpiluar dosjen na kishte thënë më parë se nuk kishte shenja në trup. Por ekspertiza ashtu siç edhe e prisnim vërtetoi pretendimin tonë se kishte shenja të shumta deri edhe thyerje të ndryshme. Por nga ana tjetër nuk jep vlerësimin se nga janë shkaktuar dëmtimet, vetëm sa i referohet informacionit të policisë se ka rënë nga lartësia.
Kur ishte kryer ekspertiza dhe kur doli konkluzioni nga institucioni i mjekësisë ligjore?
Ekspertiza (autopsia) ishte kryer më 9 gusht në një nga Varrezat e Athinës nga mjekja ligjore Kristina Cakona dhe përfundimi doli me 20 shtator të cilën ne e morëm këto ditë pas këmbënguljes tonë pranë prokurorit i cili urdhëroj që të na jepej një kopje e saj.
Sipas ekspertizës nga i kishte ardhur vdekja dhe çfarë shenjash ishin konstatuar në trupin e viktimës, dhe a kishte thyerje veç dëmtimeve të tjera?
Sipas ekspertizës mjeko – ligjore, që tashmë e kemi në dorë konstatohen shumë shenja në pjesë të ndryshme të trupit. Por ajo fatalja që i ka shkaktuar vdekjen thuhet se ishte shembja e trurit. Sipas ekspertizës, ai kishte dëmtime në kokë, thyerje të kafkës në anën e djathtë, ku konstatoheshin 6 të qepura, shenja në shpatullën dhe supin e majtë, nxirje të syrit të majtë mbi dhe poshtë qerpikut, kishte një dërmishje në të dy parakrahët.
Le të ndalemi pak këtu: Shenjat që kishte tek muskujt e krahëve i kishte nga brenda apo nga jashtë?
Ajo na vë në dyshim edhe ne se shenjat ishin nga brenda dhe duket pak e çuditshme që ti jenë shkaktuar nga rënia. Megjithatë ne nga ana jonë po i studiojmë me ekspertë dhe specialistë të fushës.
Vazhdojmë më tej: Kishte shenja të tjera veç këtyre që përmendët?
Po kishte rrjepje të lëkurës në pjesën e shpinës në një masë njëra 4-7 cm dhe tjetra 2-4, kishte shenja të nxira në pjesën e barkut, por ajo që binte në sy më shumë ishte shembja dhe hemorragjia e veshkave, si dhe organet gjenitale ku konstatohej se ishin shumë të nxira. Gjithashtu kishte shembje dhe thyerje në kofshën e majtë dhe një dëmtim në anën e brendshme të gishtit tregues dhe atij të mesit.
A mund të na thoni, nëse edhe lejohet se deri ku kanë shkuar hetimet?
Çështja ndodhet ende në hetim, dosja po ju informoj ju se sot shkoj në prokurori, ndodhet në prokurori. Para ca kohësh i ishte rikthyer policisë për plotësimin e saj dhe pritjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Ne si avokatë po grumbullojmë provat tona, po konsultohemi me specialistë të fushës në lidhje me ekspertizën dhe fotot që ne disponojmë. Presim që edhe prokuroria të bëjë hetimet e veta dhe kemi besim se e vërteta do të zbardhet. Siç ju thashë dhe më parë dosja i ka kaluar prokurorisë, ne si avokat po sot bëmë denoncimin tonë dhe pritet babai i viktimës Nikoll Marnikollaj që të vij dhe të dëshmoj.
Ka zëra se po përpiqen për ta manipuluar çështjen, bile bëhet fjalë edhe për shtetin shqiptar?
Çdo gjë mund të pritet, edhe ne i kemi thënë prokurorit se diçka po gatuhet, po nuk besoj, pasi ne po e ndjekim me përkushtim dhe profesionalizëm çështjen. Po ashtu edhe dy shtetet kanë pas kontakte në lidhje me ngjarjen dhe është vënë në lëvizje edhe Avokati i Popullit i Greqisë.
Bile këto ditë patëm një takim edhe me Ministrin e Drejtësisë të Shqipërisë, zotin Ylli Manjani, i cili na bëri me dije për takimet me homologun e tij grek dhe Avokatin e Popullit të Greqisë të cilët i kishin premtuar se çështja do të hetohet dhe gjykohet me prioritet dhe pa anësi, nuk do të ketë manipulim. Gjithashtu ai u tregua i gatshëm që për çdo ndihmë ligjore të na ofroi mbështetjen e tij, pasi kjo çështje nuk është politike, por është një çështje penale si për çdo qytetarë tjetër qoftë grek, amerikan apo europian. Ne jemi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shtetasve tanë e jo më kur bëhet fjalë për jetën e një njeriu,- na tha ministri. Zoti Manjani gjithashtu na siguroi se do të kontaktoj me homologët grek që të venë në lëvizje organet kompetente të drejtësisë për ta shpejtuar hetimin dhe për të nxjerr përfundimin sa më afër.
Deri më tani nuk ka asnjë efektiv policie të ndaluar apo pezulluar nga detyra. Ngjarja ndodhi brenda rajonit të policisë, nuk duhej marrë një masë administrative edhe nëse ai është vetëhedhur siç pretendon policia?
Kjo është një pyetje me vend. Normalisht që duhej të ishin marrë masa nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë. Tani vendimin pritet të marrë gjykata, ku padyshim që edhe në këtë raste do të ketë ndëshkime.
Mendoni se do t’ia dilni?
Kemi besim tek drejtësia, bashkë me kolegun tim zotin Kabajanis, Thanasis Kambajanis jemi të përkushtuar, besoj se po, do t’ia dalim pa tjetër mbanë, jemi optimiste në këtë drejtim dhe shpresojmë se do ti kthejmë drejtësinë familjes Marnikollaj.
BW/d.i.