Nga Skënder Minxhozi/
Redaksia e Javanews i është drejtuar me disa pyetje deputetit Nard Ndoka, në lidhje me paraqitjen e tij në një spektakël, i veshur me një bluzë ku dukej një shqiponjë e “shkalafitur” dhe e stilizuar në një kryq nazist. Ai ka dhënë përgjigje të gjata dhe sipas tij ezauruese, rreth arsyeve të asaj performance të dyshimtë para publikut shqiptar. Nard Ndoka është shprehur se e gjitha kjo ka qenë një çeshtje sekondash dhe pasojë e surprizës që i ka krijuar atij kantautori Robert Aliaj. Ndoka ka shtuar se gjatë spektaklit i ka takuar të bëjë edhe role të tjera “të sikletshme”.
Më tej, zoti Ndoka është hedhur në një kundërsulm të panevojshëm, duke atakuar ata që e kanë marrë në qafë këtë vend, që kanë kërkuar ta çojnë drejt Erdoganit, Lindjes dhe larg Europës e Perëndimit. Ka qenë një tiradë e gjatë akuzash, tërësisht të panevojshme, jashtë kontekstit dhe qartësisht “kompensuese”, për gjestin krejt të pakëndshëm dhe fyes që ai ka bërë me Shqiponjën-Svastika.
Ne i aprovojmë akuzat e zotit Ndoka për ata që shohin nga Lindja dhe Erdogani, Putini e madje edhe Gyleni, nëse ai preferon. Aprovojmë edhe angazhimin e tij të hershëm ndaj vlerave dhe qytetërimit perëndimor. I themi këto krejt pa ironi dhe me shumë sinqeritet, ashtu siç dëshërojmë t’ja bëjmë edhe një herë shumë seriozisht pyetjen të cilës mendojmë se ai nuk ju përgjigj, por bëri sikur ju përgjigj: Po bluzën pse e veshët zoti Ndoka?
E pyesim direkt dhe në mënyrë të përsëritur ish-ministrin, deputetin dhe kryetarin e një partie politike, për një simbol të nazizmit që ai ka afishuar në trupin e tij, pasi duke i besuar pikërisht vlerave të demokracive të sotme perëndimore, na duket totalisht e papranueshme që një njeri publik dhe një politikan me shumë përvojë, të hedhë një hap të tillë. Zoti Ndoka duhet të dijë se në Gjermani, Francë, Britani të Madhe apo SHBA, për shumë më pak se kaq, figurat politike janë kryqëzuar nga mediat, opinioni publik e jo në pak raste edhe nga ligji.
Personi që shkruan këto rradhë ka pasur rastin të vizitojë para disa vitesh kampin nazist të Aushvicit, në Poloni. Pa asnjë mëdyshje, nëse kalon portën e hekurt me mbishkrimin hileqar “Arbeit macht Frei” (Puna të bën të lirë), del nga ajo derë i tjetërsuar. Është një eksperiencë nga ato që të ndryshojnë jetën.
Loja me simbolet kombëtare është një lojë me zjarrin. Në çdo vend të botës. Mbi të gjitha në vendet demokratike, ku simbolika e shtetit ka një kuptim serioz dhe të panegociueshëm. Kjo është arsyeja pse ne si redaksi po ngulmojmë rreth këtij incidenti, edhe në këtë klimë endemike shurdhërie që ka kapluar këtë vend, ndaj çdo skandali që duket dhe zhduket në radarin e opinionit publik shqiptar brenda disa orëve.
Ndaj justifikimet me kurthe spektaklesh dhe surprizat e momentit, janë një gjetje jo e mirë. Ne zgjedhësit, ju paguajmë që të mos bini pre të surprizave, por të keni gjykim të kthjellët dhe të shëndoshë në çdo çast. Ndryshe, na thoni që të marrim masat në të ardhmen Zoti Ndoka!