Sot në Vatikan është festuar 25-vjetori i vendosjes se marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë me Selinë e Shenjtë.
Klerikë dhe përfaqësues të lartë të Kishës, hodhën dritë mbi historikun e kësaj marrëdhënie.
Visar Zhiti i ngarkuari me punë pranë Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan, tha se Shqipëria ka përjetuar një ndryshim të madh, ndërsa shtoi se nga lumturimi i 38 martirëve politika duhet të nxjerrë vlera.
“Është vërtet një kohë e begatë për Shqipërinë, gjithë këto ngjarje, festa shpirtërore po themi. Ne përveç entuziazmit dhe krenarisë normale për një gjë të tillë ne duhet ti nxjerrim kësaj vlerën dhe porosinë. Shqipëria ka forca shpirtërore të thella të rroposura që po dalin. Politikës, shtetarëve dhe të gjithë njerëzve u mbetet si detyrë që ky shpërthim i brendshëm të shpaloset për mirë. Ky vrull ti shërbejë begatimit të jetës.
Edhe Dom Marjan Paloka, anëtar i Famullisë Fiesole të Firences, i vlerësoi 38 martirët shqiptarë të diktaturës komuniste, që së shpejti priten të lumnohen nga Kisha e Shenjtë, si figura universale.
Dom Marjan Paloka: Universalizmi katolik nuk ishte në dëm të kombëtarisë së tyre. Prandaj nëse këta martirë kanë ditur të bashkojnë së bashku universalen, lokalen dhe konkreten, atëherë dhe Shqipëria që sot detyrimisht shikon drejt universales pas një periudhe të gjatë të mbyllur duhet të mësojë nga sakrifica e këtyre martirëve për të ditur të kujdeset njëkohësisht për të dyja gjërat: marrëdhënien me botën, universalen dhe për rritjen dhe zhvillimin e vendit, konkreten, lokalen.
Në këtë event përkujtimor mori pjesë dhe Kardinali Ivan Dias, Nunci i Parë Apostolik në Shqipëri, si edhe Ministri i Jashtëm i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit Arqipeshkopi Paul Richard Gallagher, i cili tha se nga Shqipëria sot shohim sinjale shprese, besimi e bamirësie.