Bashkëpunim intensiv midis të gjithë faktorëve, e veçanërisht ngritja e një misioni të përbashkët për shfrytëzimin e burimeve natyrore, ishte kryefjala e takimeve të zhvilluar mes delegacionit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv Viktor Tushaj me drejtues të Komisionit për Minierat dhe Mineralet.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, Tushaj zhvilloi takim me Ambasadorin tonë në Prishtinë, Qemal Minxhozi e për të vijuar më tej, vizitat në minierën e Sibofcës dhe të Trepçës.
Tushaj, vuri në dukje nevojën e projekteve dhe investimeve të përbashkëta që sipas tij, duhet të jenë prioritet i buxheteve të dy vendeve.
Në takim me nga Drejtorin e KPMM, Ramiz Krasniqi dhe anëtarët e bordit të këtij institucioni, Tushaj tha se “në një komb nuk ka gjë më të rëndësishme se dy gjëra, kapitalet njerëzore dhe burimet natyrore, dhe ne si mision si AKBN në Shqipëri, kemi promovimin e të gjitha burimeve natyrore, mbi bazën e të cilës rrjedhin liçensimi, monitorimi, shfrytëzimi me efikasitet i të gjithë burimeve që kemi në Shqipëri”.
Nga ana e tyre, anëtarët e KPMM-së theksuan se bashkëpunimi midis dy institucioneve është intensifikuar shumë, edhe pse ka nisur mjaft herët, dhe nuk do të hezitohet për të bërë gjithçka për ndërtimin e strategjisë së përbashkët raporton ATA. Delegacioni shqiptar u ndal edhe në ambientet e Minierës së Qymyrit Sibofcë (KEK) ku për palën shqiptare, inxhinerët Ahmet Bytyçi dhe Nexhmi Krasniqi i njohën me situatën gjeologjike të vendburimit, rezervat aktuale të qymyrit, plotësimin e nevojave të TEC-eve, si dhe ecurinë e mëtejshme të shfrytëzimit të saj.
Ata theksuan se kjo pjesë ka rezerva deri në vitin 2024, dhe për më vonë do të duhet të ndërmerret një projekt për hapjen dhe shfrytëzimin e një karriere të re, për të plotësuar nevojat e TEC-eve ekzistuese dhe atyre të rinj.
Drejtori ekzekutiv i AKBN-së siguroi inxhinierët se “do të përfitojnë në çdo rast të një bashkëpunimi të vazhdueshëm, eksperiencën e specialistëve të AKBN-së për vazhdimin e mëtejshëm të aktivitetit të shfrytëzimit në këtë vendburim të rëndësishëm qymyri, i cili përfaqëson lëndën e parë dhe të domosdoshme energjitike për prodhimin e energjisë elektrike në TEC-et e Kosovës”./a.m.