Juan Cuadrado… Çfarë goli që shënoi, madje kolumbiani as vetë nuk e besoi. Mesfushori i Juventusit zbriti në fushë në vend të Paulo Dybalës dhe tronditi ndeshjen, i dha fitoren skuadrës së tij, e cila po vuante me 10 futbollistë dhe ndoshta, tani e në vazhdim ai ka rifituar respektin e plotë të trajnerit Allegri, me të cilin pati disa fërkime, për minutat e pakta që luajti në fillim të kampionatit.
Gjithsesi, mbas paraqitjes së djeshme, gjithçka e krisur është ngjitur dhe Cuadrado e Juventusi mund të festojnë një sukses madhështor: “Jam i lumtur për gjithçka bëra dhe falënderoj gjithmonë Zotin që më ndihmon të kaloj momentet e vështira. Goli? Provova të bëja një nga ‘numrat’ e mi të përhershëm, por pasi e ngrita kokën nuk u mendova dy herë dhe lëshova atë bombë, e cila përfundoi në rrjetë.
Godita fort dhe për një moment as vetë nuk e besova se përfundoi në rrjetë, ndonëse isha i vendosur për të goditur, besova dhe falë Zotit ia dola, – shprehet heroi i bardhezinjve. – Lioni na bëri rezistencë? Nuk ishte e lehtë kundër një skuadre të organizuar si ato dhe mbi të gjitha me shumë eksperiencë. Por Juventusi i vërtetë po kthehet.
Pasi mbetëm me 10 lojtarë, duhej një reagim i fortë dhe pikërisht në këtë moment doli në pah karakteri i fortë që na dallon. Ky është një grup fitues, i cili ka si objektiv që të arrijë i pari në grupin e Championsit. Gjithsesi, tani bëjmë mirë që të mendojmë për ndeshjen e radhës, atë në kampionat kundër Milanit, një tjetër duel direkt që duhet ta fitojmë për të vazhduar ndjekjen e objektivave tanë”.
Panorama/d.i.