Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim, për plagosjen me armë ditën e djeshme në Vlorë. Policia e Vlorës ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në lagjen “Pavarësia” të këtij qyteti, ku pasi i grabitën mjetin tip BMW X6 dhe paratë, dy të rinjtë Klejvis Gjahtari, 29 vjeç, dhe Olgert Shehu, e kanë plagosur shtetasin Florjon Meçe.
Uniformat blu sqarojnë se “Klejvis Gjahtari, në bashkëpunim me shtetasin Olgert Shehu, ditën e djeshme para kryerjes së plagosjes, në lagjen “Ujë i ftohtë” dyshohet se kanë vjedhur me dhunë shtetasin Florjan Meçe, duke i marrë këtij të fundit automjetin e llojit BMW X6 me targë AA 333 MK, portofolin me një sasi parash prej 500 euro, disa bizhuteri personale që dispononte me vete si dhe aparatin celular”.
Ndërsa rreth 1 orë më vonë pas konfliktit për arsyet e mësipërme, në një rrugicë të lagjes “Pavarësia”, dyshohet se shtetasi Klejvis Gjahtari, ka plagosur me armë zjarri të llojit “Pistoletë” pronarin e mjetit të grabitur, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë së Vlorës, shtetasi i plagosur Florjan Meçe, ka qenë i dënuar më parë për “Vrasje”.
Për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, policia ka arrestuar shtetasit:
1.Olgert Shehu, 38 vjeç, banues në Vlorë (arrestuar)
2.Hajri Xhaferi, 53 vjeç, banues në Vlorë (arrestuar)
Si dhe ka shpallur në kërkim 29-vjeçarin Klejvis Gjahtari.
Ky i fundit, mësohet se ka qenë shpallur në kërkim gjithashtu për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në vitin 2012.
Për këtë ngjarje, Policia ka referuar materialet në Prokurori për veprat penale përkatëse, në ngarkim të këtyre shtetasve:
- Olgert Shehu, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.
- Hajri Xhaferi, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” (pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen).
- Klejvis Gjahtari, shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.
Po punohet për kapjen dhe arrestimin e tij.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjete të gjetura rreth 500 m larg vendit të ngjarjes:
– automjetin BenzMercedes me targë AA985NV,
– automjetin BMW X6 me targë AA333MK,
– si dhe disa gëzhoja pistolete model 54 (pranë vendin të ngjarjes) të cilat do të dërgohen për ekzaminime të mëtejshme.
BW/d.i.