Drejtori i fabrikës “Obuca” në Beograd, ka ardhur në Suharekë që të blejë këpucë e çizme që prodhohen në fabrikën kosovare “Solid”.
Edhe pse Misinoviq nuk dëshiron të deklarohet se këto mbathje janë të dedikuara për Policinë dhe Ushtrinë e Serbisë, ai pranon se janë të dedikuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shtetit të tij.
“Mallrat e ‘Solidit’ janë shitur mirë në tregun tonë. Nuk kisha pasur dëshirë që të politizohet çështja, por mund t’iu them se mallin të cilin do ta blejmë është i dedikuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thotë Misinoviq për televizionin publik.
Po ashtu edhe drejtori i fabrikës së këpucëve në Vrajë, Radir Novkoviq, bën shpesh porosi për këpucë në këtë fabrikë në Kosovë.
“Menjëherë pas luftës ne kemi nisur bashkëpunimin me fabrikën Solid. Në fillim e kishim pak të vështir për shkak të rrethanave të pasluftës, por që nga atëherë e deri më sot kemi qarkullim vjetor prej 500 mijë eurosh dhe jemi shumë të kënaqur me mallin nga Kosova”, thotë Novkoviq për RTK. (b.an)