Ministri i Financave Arben Ahmetaj bëri të ditur të hënën se të ardhurat në vitin 2015 u rritën me 3.4 % duke shkuar në 379.2 miliardë lekë.
Ahmetaj ishte i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i cili mori në shqyrtim buxhetin faktik për vitin 2015, si dhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për buxhetin faktik.
Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, tha ministri Ahemtaj, në fund të vitit 2015, arritën në 437.4 miliardë lekë me një nivel realizimi prej 96 për qind, ndërsa defiçiti i përgjithshëm i buxhetit të shtetit u realizua në masën pothuajse 100 për qind.
“Buxheti 2015 ishte buxheti i reformave strukturore, për të përshpejtuar modelin e ri të zhvillimit të vendit, duke u përqendruar në disa nga sektorët më të rëndësishëm si: zhvillimi lokal e rajonal dhe reforma administrative, energjia, bujqësia dhe reforma e ujit, inovacioni dhe shërbimet për qytetarët, rendi publik dhe siguria”, deklaroi ministri.
Gjatë raportimit për zbatimin e buxhetit për vitin 2015, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj dha disa rekomandime për menaxhimin e financave publike. Sipas tij, MF duhet të jetë më e saktë në parashikimin e nivelit të të ardhurave dhe shpenzimeve, pasi rishikimi i buxhetit dhe rialokimi i fondeve në mes të vitit sjellin problematika në mirëllogaritjen e shpenzimeve publike./a.m.