Dalin të tjera detaje nga grabitja e karburantit në zonën e Selitës në Tiranë. “News24” publikon një video e cila tregon autorin i cili me kapuç largohet në këmbë pasi ka grabitur punonjësin e karburantit.
Mësohet se e njëjta pikë karburanti është grabitur edhe më 12 Tetor të këtij viti. Në dy videot e siguruara, shihet autori i armatosur dhe me të njëjtat veshje në të dy rastet.
Gjithashtu “Balkanweb” raporton se autori që duket në video, ka kryer edhe disa grabitje të tjera në kryeqytet.
“Duke parë videon e ngjarjes të shkëputura nga kamerat e sigurisë grabitësi misterioz përdor të njëjtën skemë, kërcënon më armë, dhunon punonjësin merr xhiron ditore dhe largohet me vrap në këmbë. Sipas burimeve policore dyshohet se gjatë muajit shtator i njëjti person ka kryer dhe disa grabitje të tjera në Fushë-Krujë. Target i tij janë karburantet me një punëtor. Grabitjet kryhen në mbrëmje rreth orës 23.00. Megjithëse të gjitha këto grabitje kanë qenë të regjistruara me kamera policia e Tiranës nuk ka mundur të identifikojë autorin”, raporton “Balkanweb”.
Rastet e tjera te grabitjeve
Në ditët e para të muajit tetor grabitësi kërcënoi me armë dhe mori xhiron ditore të një karburanti në qendër të Tiranës shumë pak metra larg Drejtorisë së Policisë në rrugën “Myslym Shyri”.
Pak ditë më vonë në datën 9 tetor i njëjti person me të njejtën veshje grabiti një pikë karburanti “Kastrati” në Unazë të re, ku pasi ka kërcënuar me armë dhe ka goditur me grushte punonjësin e karburantit ka marrë prej aty 200 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur në një moment kur në biznes kishte vetëm 1 punonjës dhe në zonë kishte shumë pak kalimtarë pasi luhej ndeshja e futbollit Shqipëri-Spanjë, shkruan “Balkanweb”.
Grabitet punonjësi i karburantit në kryeqytet, 25-vjeçari arratiset
Një pikë karburanti është grabitur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Isuf Elezi” në kryeqytet.
Mësohet se një person i maskuar me kapuç në kokë dhe me një shami në fytyrë, rreth 25 vjeç, me anë të kërcënimit, i ka marrë 8 000 lekë dhe një celular tip “iPhone 6”, punonjësit të karburantit shtetasit H. S., 42 vjeç.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Parashikuar nga Neni 139 i Kodit Penal.