Që nga janari e deri në muajin shtator në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës janë hapur 28 raste të ndryshme të krimeve kibernetike, ndërsa janë kryer 138 asistenca në të gjitha regjionet policore të Kosovës, si dhe jashtë Republikës së Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 22 raste ndërlidhen me nenin 339 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ‘Hyrje në sistemet kompjuterike’, e të cilat kryesisht kanë të bëjnë me mashtrime të kompanive duke bërë ndërhyrje në e-mail adresat e tyre, shkruan Koha Ditore.
Sipas koordinatorit nacional për Strategjinë Shtetërore për Siguri Kibernetike, zv.ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, sulmet kibernetike do të jenë një prej sfidave për institucionet e Republikës së Kosovës edhe në të ardhmen. (b.an)