Mbi 38 mijë mësues dhe edukatore do të jenë objekt i veprimit të ligjit të famshëm të dekriminalizimit, njësoi si kryebashkiakët, këshilltarët vendorë dhe funksionarët e lartë shtetëror. Të gjithë njerëzit e arsimit në Shqipëri, duke nisur që nga edukatoret, mësuesit, psikologët dhe punonjësit socialë në shkolla, por edhe punonjësit e azileve etj., do të kenë afat 6 muaj për plotësimin e formularit të dekriminalizimit.
Kështu parashikon projektligji i depozituar në Kuvend nga tre deputete, Majlinda Bregu, Albana Vokshi dhe Mesila Doda. Drafti shton një shkojnë “gj”, pas shkronjës “g” të pikës 3 të nenit 1 të ligjit të dekriminalizimit.
Konkretisht, personat kanë konsumuar një vepër penale parashikuar në ligjin e dekriminalizimit nuk mund të jenë më mësues dhe as profesionistë që ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror për fëmijët, për personat me aftësi të kufizuar, për viktimat e dhunës dhe trafikimit apo për moshën e tretë, në sistemin publik ose jopublik. Periudha e ndalimit të ushtrimit të profesionit parashikohet në nenin 4 të ligjit të dekriminalizimit, sipas veprës penale të konsumuar nga subjekti dhe masës së dënimit.
Mësuesit, edukatorët dhe psikologët në detyrë etj., duhet të kryejnë vetëdeklarimin dhe t’a depozitojnë pranë Departamentit të Administratës Publike, brenda 6 muajve nga hyrja ne fuqi e këtij ligji. Tejkalimi i këtij afati bën që subjekti të humbasë automatikisht vendin e punës dhe të konsiderohet sikur plotëson një nga kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, parashikuar në ligj.
Zgjerohen veprat penale
Tre ligjvënëset kanë propozuar edhe zgjerimin e veprave penale, konsumimi i të cilave ndalon personat e parashikuar të ushtrojnë funksionin, në rastin konkret mësuesit dhe profesionistët që ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror. Janë shtuar veprat penale të si; Prodhimi, shpërndarja dhe reklamimi i materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë, keqtrajtimit i të miturit, shtyrja e të miturit në krim si dhe dhuna në familje. Pra, të gjithë mësuesit dhe profesionistët që ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror, të cilët janë dënuar për rrahjen e fëmijëve, për reklamim të materialeve pornografike, për shtyrje të të miturve në krim dhe për dhunë në familje, nuk mund të ushtrojnë më funksionin. Po ashtu, zonjat kanë propozuar edhe një ndryshim në Kodin Penal, i cili i përjashton nga shërbimi i provës personat që kanë kryer veprat penale në fjalë. Tre deputetet kanë propozuar edhe disa ndryshime në ligjin për arsimin parauniversitar, i cili parashikon që mësuesit e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm i nënshtrohen një testi psiko-emocional.
Shpjegimi i nismës
Tre ligjvënëset kanë shpjeguar në relacion arsyet dhe rrethanat e propozimit të këtij projektligji. Sipas tyre, muajt e fundit janë raportuar shumë raste të dhunës fizike apo abuzimeve seksuale nga prindër, mësues e persona të tjerë mbi fëmijët. “Dhuna ndaj fëmijëve është bërë tashmë një fenomen i përditshmërisë. Përdorimi i formave të lehta dhe të moderuara të dhunës fizike dhe psikologjike është mjaft i përhapur. Shumë fëmijë u nënshtrohen formave të ashpra dhe degraduese të dhunës dhe të poshtërimit si: rrahja, incesti, abuzimi seksual, braktisja, shitja për shfrytëzim dhe prostitucion, krime nderi etj”, thuhet në relacion.
Afati
Të gjithë njerëzit e arsimit në Shqipëri, duke nisur që nga edukatoret, mësuesit, psikologët dhe punonjësit socialë në shkolla, por edhe punonjësit e azileve etj., do të kenë afat 6 muaj për plotësimin e formularit të dekriminalizimit
Veprat penale
Tre ligjvënëset kanë propozuar edhe zgjerimin e veprave penale, konsumimi i të cilave ndalon personat e parashikuar të ushtrojnë funksionin, në rastin konkret mësuesit dhe profesionistët që ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror.
Dekriminalizimi, 4 veprat e reja penale të shtuara
Neni 117
Pornografia
Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë, me çdo mjet ose formë, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me burgim deri në dy vjet. Prodhimi, importimi, ofrimi, vënia në dispozicion, shpërndarja, transmetimi, përdorimi ose posedimi i pornografisë së fëmijëve, si dhe krijimi i aksesit në mënyrë të vetëdijshme në të, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Neni 124/b
Keqtrajtimi i të miturit
Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor ose çdo person që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet. Detyrimi, shfrytëzimi, shtytja ose përdorimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe/ose fizik, apo arsimimin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e të miturit, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Neni 129
Shtytja e të miturve në krim
Shtytja ose tërheqja e të miturve nën moshën katërmbëdhjetë vjeç për të kryer krim, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 130/a
Dhuna në familje
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.
Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar
paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.
Projektligjet e depozituara në Kuvend nga tre deputetet
- Dekriminalizimi
Në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në shkronjën “a”, të pikës l, të nenit 2 pas shifrës: “114” shtohen shifrat: ” 117, 124/b”
dhe pas shifrës: “128/b” shtohen shifrat: “129, 130/a”.
Neni 2
Në piken 1 të nenit 3, pas shkronjës “g” shtohet shkronja “gj” me këtë përmbajtje: “gj) Mësues dhe profesioniste që ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror për fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, viktimat e dhunës dhe trafikimit apo moshën e tretë, në sistemin publik ose jopublik.”
Neni 3
Në shkronjën “e”, të pikës 4, të nenit 5 pas fjalëve: ” … nga shkronja “e'” ‘shtohen fjalët: “dhe “gj”.
Neni 4
Dispozite tranzitore
Personat subjekt i vetëdeklarimit, sipas nenit 2 të këtij ligji, që janë aktualisht ne
detyre, kryejnë vetëdeklarimin dhe e depozitojnë pranë Departamentit të Administratës Publike, brenda 6 muajve nga hyrja ne fuqi e këtij ligji.
- Kodi Penal
Në ligjin nr. 7895, date 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, behet shtesa si më poshtë:
Neni 1
Në nenin 59, pas paragrafit të parë, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Gjykata, kur personi plotëson kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni,
por është dënuar për kundravajtje penale ose vepër penale të kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen, e përjashton atë nga vënia në provë.”
- Ligji për arsimin parauniversitar
Neni 2
Në nenin 57 bëhen këto shtesa:
- Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1 dhe 4/2 me ketë përmbajtje:
Mësuesi i arsimit parashkollor, i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë përmbushur kriteret e parashikuara në pikat 1,2,3 dhe 4 të këtij neni si dhe pasi të ketë kaluar me sukses testin psiko-emocional. Vlerësimi psiko-emocional për anësuesit që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit zhvillohet çdo pesë vjet.