Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, tha se ajo që është thelbësore për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, është se Kosova nuk humb asnjë metër katror në demarkacionin me Malin e Zi.
Thaçi tha se ky proces është në dobi të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. “Në kuadër të frymës së fqinjësisë së mirë, kemi nisur edhe procesin e demarkacionit të kufirit me shtetet fqinje. E kemi përfunduar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, jemi duke e përmbyllur me Malin e Zi dhe po punojmë që këtë ta bëjmë edhe me Serbinë, që një herë e përgjithmonë t’i vihet pikë çështjes së kufijve në Ballkan”, tha ai.
Demarkacioni është proces i shënjimit të kufirit mes dy shteteve, ashtu siç është në dokumentet zyrtare në tokën mes shteteve dhe nuk është proces i negocimit të kufirit, ka thënë Thaçi. Por, sipas tij, ky është proces teknik i vizatimit të kufirit që ekziston në dokumentet kadastrale.
“Me këtë proces janë marrë personat më kompetentë dhe më përgjegjës, të mbledhur në Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror”, tha Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se Komisioni shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror, është emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me mandatin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare.
“Marrëveshja ndërkombëtare është pakoja Ahtisari 2007. Kjo vijë kufitare sipas Pakos së Ahtisarit dhe në bazë të deklaratës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974 dhe me të gjitha dokumentet tjera relevante”, ka thënë Thaçi.
Ai tha se komisioni ka organizuar dhe mbajtur mbi 20 takime të drejtpërdrejta në terren me qytetaret e zonës, takime me kryetarët e komunave kufitare dhe ka ofruar dokumentacionin për kufirin Kosovë-Mali i Zi.
Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, në interpelancën për demarkacionin me Malin e Zi ka thënë se komisioni ka bërë trajtimin e secilës pikë veç e veç në vijën kufitare, ka përshkuar në terren vijën kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi duke zbatuar parimin e transparencës.
“Dokumentacioni i përdorur nga Komisioni është i bazuar në kufirin e Kosovës dhe në harta kadastrale nga vitet 1974, 1988 dhe 2015. Në hartat topografike të viteve 1963, 1987, si dhe hartat topografike të KFOR-it nga qershori i vitit 1999. Në atlase të ndryshme tematike, harta historike të periudhave të ndryshme deri në ditët e sotme”, ka sqaruar Thaçi.
Ai ka thënë se janë trajtuar dokumentet, shkresat, foto-skicat dhe koordinatat nga matjete viteve 1931/32, 1974, 1988 dhe 2015, prej të cilave janë përpiluar dhe janë duke u përditësuar hartat kadastrale për vijën kufitare me Malin e Zi.
“Komisioni, gjatë procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ka pasur në konsideratë kujdesin maksimal ndaj pronave në zonën kufitare, duke kërkuar nga secili pretendues të bëjë kufizimin e pronës në terren sipas dokumentacionit që ka, pastaj disa herë ka mbajtur takime me banorët e zonës kufitare, së bashku duke shqyrtuar shqetësimet e tyre”, ka treguar Thaçi.
Në këtë aktivitet, sipas Thaçit, pronat e qytetarëve nga komuna e Junikut, Deçanit dhe Istogut në territorin e Malit të Zi për të cilët kishte dokumentacion, janë përkufizuar dhe tani ata i kanë pronat në pronësi dhe janë duke i shfrytëzuar pa asnjë pengesë.
Zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se Komisioni Shtetëror nuk ka mandat për “korrigjim“ të kufijve të vendosur gjatë historisë. “Çdo deklaratë se ka shmangie nga kufiri i vitit 1974 është e paqëndrueshme dhe e paargumentueshme me dokumente përkatëse ligjore, politike e historike”, tha Thaçi