Një raport i fundit i drejtorisë ekonomike të Komisionit Europian konstaton një rritje të investimeve të huaja direkte në Shqipëri në masën 22.4 %. Në dokument theksohet se investimet e huaja për tre-mujorin e fundit përbëjnë 7.1 % të PPB-së. Gjithashtu ekspertët e KE-së i qëndrojnë parashikimeve të institucioneve të tjera ndërkombëtare si FMN e BB për një rritje ekonomike në masën 3.2 % për këtë vit dhe 3.5 % për vitin e ardhshme. Të dhënat më pozitive në raportin e Komisionit Europian i përkasin rritjes së punësimit, duke vijuar trendin rritës edhe në tremujorin e tretë. Në total rritja për vitin 2016 llogaritet në masën 5.8 %, duke e renditur Shqipërinë mes vendeve të para në rajon.
Rritje ka shënuar edhe konsumi, duke sjellë një rritje të përgjithshme të besimit tek ekonomia. Investimet kryesore që kanë sjellë impakt janë kryer në energjitikë, duke ndikuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës, theksohet në raport. E vetmja fushë që mbetet shqetësuese, – konstaton dokumenti, – është ajo që ka të bëjë me kredidhënien për biznesin nga ana e sektorit bankar, që mbetet në nivele të ulëta. Në dokument përmenden zhvillimet kryesore të tremujorit të fundit në Shqipëri, ku si më i rëndësishmi veçohet miratimi i ligjeve të reformës në drejtësi, që sipas Brukselit zyrtar do të sjellë një përmirësim të përgjithshëm të klimës ekonomike.