Zbulohet shkaku pse vajza shtatzënë vrau foshnjën në bark, duke tentuar t’i jepte fund edhe jetes. “Panorama” shkruan se gjithçka ndodhi pas sherrit që 21 vjecarja në muajin e tetë të shtatzënisë pati me të dashurin.
Për pasojë, fëmija është nxjerrë i vdekur nga mjekët e një prej materniteteve në Tiranë, ndërsa vajza me inicialet S.Z. po lufton me jetën prej dy ditësh. Burime nga Policia e Durrësit bënë të ditur se ngjarja e ka zanafillën në Fushë- Krujë.
Dyshohet se në kushtet e një tronditjeje të fortë psikologjike, pas mosmarrëveshjeve me të dashurin e saj për shkak të shtatzënisë, e reja ka tentuar të vrasë veten e bashkë me të edhe foshnjën që priste të lindte vetëm pas një muaji.
Pasi ka pirë një grusht me ilaçe (sipas të dhënave 40 kokrra paracetamol), gjendja e saj është rënduar. Të afërmit e saj e kanë sjellë me urgjencë në maternitet në Tiranë, ku mjekët kanë bërë ndërhyrjen dhe e kanë nxjerrë fëmijë të vdekur.
Sipas burimeve zyrtare, vajza me inicialet S.Z. ka shkuar rreth orës 18:00 të së mërkurës në një nga maternitetet e kryeqytetit në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Pas ndërhyrjeve të mjekëve, është bërë e mundur nxjerrja e fëmijës në gjendje të vdekur, ndërsa e reja ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha. Nga të dhënat e mbledhura nga grupi hetimor, 21-vjeçarja ka qenë e lidhur me një djalë, lidhje për të cilën ishte në dijeni edhe familja e saj, por paraprakisht dyshohet se djali ka qenë kundër mbajtjes së fëmijës nga ana e vajzës.
Për këtë shkak ata kanë pasur debate të vazhdueshme, pasi djali i kishte kërkuar asaj që ta abortonte fëmijën që në momentin kur kanë mësuar shtatzëninë e saj, por ajo dyshohet ta ketë refuzuar heqjen e fëmijës, çka është bërë shkak i zënkave mes tyre. Kjo është pista kryesore në të cilën po hetohet, por zbardhja e plotë e ngjarjes pritet të bëhet pasi të merret në pyetje 21-vjeçarja.
Aktualisht ajo ndodhet në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën, ndaj është e pamundur marrja në pyetje e saj. Pritet të pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen edhe i dashuri i saj.
“Në gjendje të rënduar emocionale, dy ditë më parë e reja ka pirë plot 40 paracetamolë dhe ka shkuar në maternitetin në Tiranë, ku u ka rrëfyer mjekëve veprimin e saj. Më pas gjendja është rënduar dhe mjekët kanë arritur të kryejnë nxjerrjen e fëmijës të vdekur. Dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike, vajza ka tentuar të vrasë foshnjën dhe veten njëkohësisht. Po hetojmë nëse aborti ka qenë vendim i saj apo i shtyrë nga partneri.
Nga hetimet paraprake, kemi mësuar se 21- vjeçarja ishte e lidhur prej disa kohësh me një djalë të zonës, me të cilin kishte mbetur shtatzënë. Këtë lidhje e dinte edhe familja e vajzës. Në familjen e saj nuk kanë munduar debatet në lidhje me shtatzëninë, por edhe mes saj dhe të dashurit (babait të fëmijës), rreth temës së mbajtjes së fetusit dhe abortit”, bënë të ditur burime të Policisë.
ma.me