Mediat greke, të cilat kanë shkruar edhe më parë se pas rrëzimit të marrëveshjes së ujërave të nënshkruar nga qeveria e Berishës me Greqinë qëndronte Turqia, i janë rikthyer sërish kësaj çështjeje.
Kjo, pas deklaratës së Berishës në Kuvend këtë të enjte, sipas të cilit, pas kundërshtimit të PS-së për paktin detar, qendronte një palë e tretë.
“Unë them me siguri të plotë se e keni bërë këtë në interes të një pale të tretë”, akuzoi Berisha në Kuvend socialistët, që ankimuan në Gjykatën Kushtetuese paktin detar me Greqinë, i cili pas kësaj ankese u rrëzua.
“Kathimerini” lë të kuptohet se pala e tretë që përmend Berisha, është Turqia.
“Edhe pse disa vëzhgues të ndryshëm kanë folur për presionin turk që të anulohet kjo marrëveshje, asnjë zyrtar shqiptar, përfshi Berishën, nuk e ka pranuar këtë në publik”, shkruan gazeta.
“Një marrëveshje midis Athinës dhe Tiranës për përcaktimin e shelfin kontinental dhe kufijtë detarë në detin Jon u nënshkrua në vitin 2009 mes Berishës dhe homologut të tij grek në atë kohë, Kostas Karamanlis. Marrëveshja u anulua më vonë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pas veprimit nga ana e liderit të opozitës Rama”, shkruan më tej kjo gazetë.
Mediat greke në fakt kanë shkruar shumë për këtë çështje më parë, madje ka pasur nga ato dhe që kanë aluduar se Turqia ka paguar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar paktin detar.
Tema/d.i.