Vizita e Edi Ramës në Kosovë duket se ka patur sërish një impakt pozitiv mbi shqiptarët. Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e thanë troç mendimin e tyre: që nga momenti kur Tirana zyrtare ka intensifikuar dialogun me Beogradin, gjërat në Luginë kanë ndryshuar për mirë. Njohja e diplomave është thuajse një çështje e zgjidhur, ndërkohë falë ndërhyrjes së Kryeministrit shqiptar, takimi i sotëm mes të zgjedhurve të Luginës dhe Kryeministrit serb ka prodhuar rezultate konkrete.
Librat në gjuhën shqipe që prej dekadash mungojnë në Luginë do të mundësohen nga shteti shqiptar. Ambientet sportive do të rindërtohen me kontributin financiar të ambasadës gjermane në Serbi dhe të qeverisë së Beogradit. Ndërkohë, në prezencë të Kryeministrit Rama, Vuçiç konfirmoi se qeveria e tij do të financonte me 50% të fondeve çdo kompani të huaj që do të zgjidhte të investonte në Luginë. Kryeministri Rama nga ana e tij premtoi binjakëzim të komunave të Luginës me Bashkite shqiptare, për të lehtësuar kështu financimin e projekteve të domosdoshme për shqiptarët e Luginës.
Por kjo situatë e re e krijuar falë dialogut mes Tiranës dhe Beogradit, duket se ka xhelozuar së tepërmi Prishtinën. Javë më parë, ish zëvendës Ministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, akuzoi Kryeministrin Rama se duke mbështetur projektin e ndërtimit të autostradës Nish – Prishtinë – Durrës, po bënte asgjë më shumë se sa “lojën e shkjaut”. Fakti se kjo autostradë do të mundësojë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Serbisë dhe Shqipërisë, apo shumëfishimin e flukseve të turistëve serb drejt brigjeve shqiptare, duket se pak i intereson Prishtinës. Për ta çështja qëndron gjetkë.
Sot, rradhën e kishte Ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxha për të kritikuar Kryeministrin shqiptar. Përmes intervistës në një portal fare pranë Presidentit Thaçi, Hoxha theksoi se Tirana zyrtare duhet të qendroje larg dialogut Serbi – Kosovë.
Përse kjo qasje e Prishtinës ndaj Tiranës?
Së pari pasi qeveria e Kosovës është sot në një ngërç të madh. Presidenti Thaçi, Kryeministri Mustafa, Ministri i Jashtëm Hoxha duan të jenë aktorë në dialogun Prishtinë-Beograd, pasi ata e kuptojnë fare mirë rëndësinë e këtij dialogu për të ardhmen e Kosovës dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian. Porse Lëvizja Vetëvendje ua ka komplikuar fort situatën. Duan të dialogojnë me Beogradin, por janë nën trysnine e Visar Ymerit dhe Albin Kurtit. Të trembur se ky dialog, edhe pse tejet i nevojshëm, do u pakesojë mbeshtetjen në raport me Vetëvendosjen, koalicioni qeverisës në Kosovë ka zgjedhur të kopjojë qëndrimet radikale të Albinit, Visarit dhe Shpendit.
Pikërisht prandaj, Prishtina zyrtare është në hall të madh. E dinë fare mirë se ata duhet të ishin sot në Beograd, duke dialoguar me zyrtarët Serb, por kanë frikë ta bëjnë një gjë të tille. Dhe nga ana tjetër, kur shohin se Kryeminsitri shqiptar Rama për here të dyte rresht thotë në mes të Beogradit atë që Thaçi, Mustafa dhe Hoxha do kishin dashur shumë ta thonin vetë, xhelozohen tej mase.
Fakti është se Edi Rama u tregua sërish udhëheqës i shqiptarëve, pavarësisht kufijve ku ata banojnë. Përsëriti sërish në mes të Beogradit se Serbia duhet të njohë Kosovën. I kujtoi qeverisë serbe se Trepça është në Kosovë e nuk mund të transportohet kurrë në Serbi. Dhe se listat e të kërkuarve të palës serbe duhen pastruar njëherë e mirë.
Në vetëm 20 minuta, Edi Rama i tha në sy Aleksander Vuçiç atë që kosovarët kanë ditë që ia thonë njëri-tjetrit në kafene, me shpresën se fjalët e Prishtinës do shkojnë në vesh të Beogradit.
Pikërisht prandaj sot, më shumë se dje, Prishtina zyrtare ndjehet e kompleksuar nga Kryeministri shqiptar. Aq e kompleksuar, sa sulmet e Thaçit e Mustafës nuk vijnë më nga pena e një zëvendës Ministri, por nga goja e vetë Ministrit të Jashtëm./Lexo.al