Familjarët dhe të afërmit e Asllan Kërtushës, i cili u vra nga Gëzim Kajno në datën 1 Mars të këtij viti, janë përplasur sot në gjyq me prokurorin e çështjes, Drini Pali. Ky i fundit, gjatë rrugës ka ndryshuar akuzën për të pandehurin Gëzim Kajno, nga vrasje me dashje, në vrasje të ndodhur në kushte të rënda psikike.
Fakti që prokurori, gjatë prezantimit të akuzës ka treguar të përmbledhur dinamikën e ngjarjes, ku përdorte shpesh shprehjet se autori kishte qenë në kushte të rënda psikike kur ka qëlluar mbi viktimën, ka bërë që familjarët dhe të afërmit e viktimës që ndodheshin në sallë të lëshonin një lum fyerjesh në drejtim të prokurorit, të cilin e quajtën avokat të autorit dhe jo përfaqësues të organit të akuzës, shkruan “Panorama”.
“Je plehrë”. “Je bërë avokat i autorit, jo përfaqësues i akuzës”, ishin disa nga shprehjet e të afërmve të viktimës në sallën e gjyqit.
Ata nuk janë pajtuar me mendimin e prokurorit, duke deklaruar se Asllanin po e vrasin për herë të dytë.
Prokurori ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës për gjykim të shkurtuar, ndërsa trupi gjykues vendosi të jap dënimin në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet me datë 26 tetor.
NGJARJA
Ngjarja ka ndodhur pasditen e datës 1 Mars të këtij viti, në lagjen 17 të qytetit, e njohur ndryshe si hyrja e Durrësit.
Gëzim dhe Bledar Kajno, të afërm me njëri-tjetrin, janë përplasur fizikisht me shtetasin Asllan Kërtusha, pasi ky i fundit në gjendje të dehur po bënte rrëmujë në lokalin e gëzimit. Ata kanë tentuar ta nxjerrin me forcë jashtë ambienteve të lokalit. Por teksa tentonin të nxirrnin, Kertusha ka kapur për fyti Gëzim Kajnon, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe pa dashje ka plagosur Bledar Kajnon.
Në këto kushte, Gëzim Kajno e ka ndjekur për disa metra Asllan Kërtushën dhe në momentin që ky i fundit po tentonte të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, Gëzim Kajno e qëlloi disa herë me shkelma e qëllon me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.
PRECEDENTET
Kërtusha, 31 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, njihej si mik me Denis Shtrazën, një prej të arrestuarve për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut.
Mirëpo, Kërtusha, njihet edhe për disa vepra penale nga drejtësia shqiptare. Më 12 prill të vitit 2014, Kërtusha u arrestua për shkatërrimin e një lokali në Lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit, së bashku me Denis Shtrazën, vëllain e tij dhe një person tjetër.
Në vitin 2010, ai ishte arrestuar për kundërshtim të forcave të rendit. Në atë kohë, ai ishte i dehur në një lokal në Lagjen nr. 1 të qytetit dhe nisi të thyente karriget e lokalit.
Kur mbërriti policia ai kundërshtoi me forcë dhe u arrestua. Gjithashtu, ndaj tij pati nisur edhe një procedim penal në gjendje të lirë për bllokim rrugësh më datë 19 maj të vitit 2011.
Ai, së bashku me Artur Bushin, kryetarin e sotëm të Bashkisë Krujë, dhe 16 persona të tjerë, bllokuan rrugën nacionale, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste./Panorama/a.m.