Kryetari i komisioni hetimor parlamentarë për CEZ, Taulant Balla, i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku kërkon zgjatjen e afatit të punës së këtij komisioni. Sipas Ballës, “për shkak të numrit ende të madh të dëshmitarëve që do të thërriten, si dhe volumit që përmban dokumentacioni që do të shqyrtohet, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar nismëtar për ngritjen e këtij komisioni, do t’ju kërkoja zgjatjen e afatit të veprimtarisë të tij për një periudhë 3-mujore”.
Arsyetimi i kërkesës:
Komisioni Hetimor i Kuvendit “Për hetimin dhe verifikimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi, mbrojten e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes, negocimit të marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin nr. 10116, datë 23.4.2009, “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76 për qind të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes (OSSH) sha-së ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ A.S.-së”, si edhe evidentimin e efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, ngritur me vendimin nr. 30/2016 tё Kuvendit tё Shqipёrisё, ka vijuar punën e tij në përmbushje të objektit për të cilin është krijuar, duke kërkuar informacion me shkrim pranë institucioneve si dhe duke thërritur dëshmitarët e nevojshëm për marrjen e të dhënave objekt hetimi.
Afati ligjor i funksionimit të këtij komisioni, sipas vendimit të Kuvendit nr. 30/2016 përfundon më datë 13.10.2016. Ky Komision nuk ka mundur të vijojë normalisht punën e tij pas lënies së mandatit të deputetit nga ana e Nënkryetarit të këtij Komisioni zotit Sherefedin Shehu dhe moszëvendësimi i tij nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Gjithashtu për shkak të numrit ende të madh të dëshmitarëve që do të thërriten, si dhe volumit që përmban dokumentacioni që do të shqyrtohet, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar nismëtar për ngritjen e këtij komisioni, do t’ju kërkoja zgjatjen e afatit të veprimtarisë të tij për një periudhë 3-mujore.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin.
Taulant BALLA
KRYETAR