Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot, me kërkesën e tyre, përfaqësues të Industrisë së Riciklimit në vend dhe anëtarë të Shoqatës së Ricikluesve, të cilët i parashtruan Kreut të Shtetit pikëpamjet, argumentet dhe pozicionin e tyre mbi efektet negative që mund të ketë mosdekretimi i Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.
Në takimin me Presidentin e Republikës, përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve paraqitën historikun e industrisë dhe informacione të hollësishme rreth lëndëve të para që përdorin në fabrikat e tyre të riciklimit si dhe ndikimit të Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. Sipas ricikluesve, duke lënë mënjanë disinformimet dhe tentativat për përdorim politik, qëllimi dhe interesi i industrisë të riciklimit në vend nuk është thjesht aspekti ekonomik dhe zhvillimor, por edhe ai i ruajtjes së mjedisit.
Pasi i dëgjoi me vëmendje dhe diskutoi gjerësisht me ta, Presidenti Nishani vuri në dukje se ka shumë nevojë, që për çështje të tilla të ndjeshme që përfshijnë shumë dimensione si ato të biznesit, ekonomik, strukturor, mjedisor, etj., zëri i aktorëve të ndryshëm të përfshirë të jetë më i fuqishëm. “Çështje kaq thelbësore e të ndjeshme nuk duhen politizuar në mënyrë që pastaj ato të mos dështojnë.” – u shpreh Presidenti duke vlerësuar industrinë e gjelbër.
Kreu i Shtetit i garantoi pjesëmarrësit se ligjin në fjalë do ta trajtojë me shumë seriozitet dhe se do të mbajë një qëndrim sa më të argumentuar në raport me të, duke vazhduar ndërkohë edhe konsulta të mëtejshme me individë ekspertë të fushës.
Ky takim konsultues, pas atij me aktivistët civilë, përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave si dhe ekspertë ligjorë e mjedisorë u zhvillua përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës, mbi çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve, që ka shkaktuar ndjeshmëri të madhe në opinion publik.
ma.me